×
Sunday, June 21, 2026

Rama në “Flasim”: Të rinjtë e kthyer nga Gjermania investojnë në Shqipëri, nga punësimi te supermakinat

June 21, 2026


Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar në episodin e 23-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” tre të rinj shqiptarë të rikthyer nga Gjermania, të cilët po investojnë dhe sjellin përvojën e tyre profesionale në Shqipëri.

Xhoana Sita, e angazhuar në fushën e rekrutimit të fuqisë punëtore, tregoi se vendosi të rikthehej nga Gjermania për të zhvilluar aktivitetin e saj në Shqipëri, ku sipas saj kërkesa për punonjës mbetet shumë e lartë.

Ajo theksoi se sektori i turizmit dhe hotelerisë ofron tashmë paga konkurruese, ndërsa bizneset preferojnë fillimisht punësimin e stafit vendas dhe vetëm më pas orientohen drejt punonjësve të huaj.

“Në hoteleri pagat janë shumë të mira. Një shef kuzhine në jug paguhet nga 2000 deri në 2200 euro, ndërsa një kamerier rreth 1000 euro. Klientët e mi kërkojnë fillimisht punonjës vendas dhe vetëm më pas staf nga jashtë. Mesatarisht sjellim 80 deri në 100 punonjës të huaj në muaj, ndërsa gjatë sezonit veror ky numër rritet ndjeshëm”, tha Sita.

Nga ana tjetër, inxhinieri i ndërtimit Marin Shera, i cili jeton në Gjermani që prej vitit 2012, bëri të ditur se pas krijimit të një karriere të suksesshme atje, ka vendosur të investojë edhe në Shqipëri.

Ai tregoi se kompania që drejton ka realizuar projekte në fushën e supermakinave, jahteve dhe produkteve të tjera industriale, ndërsa synimi është të tërhiqet potenciali vendas për projekte të përbashkëta.

“Po krijojmë një workshop për prodhimin e makinave dhe duam të përfshijmë edhe talentet shqiptare. Përvoja që po sjellim nga Gjermania mund të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, u shpreh Shera.

Ndërkohë, arkitekti Armand Shera, i cili jeton dhe punon në Mynih që prej vitit 2019, zbuloi se projekti i tyre më ambicioz është ndërtimi i një supermakine të re.

Sipas tij, pjesa e konstruksionit po realizohet në Gjermani, ndërsa prezantimi zyrtar i automjetit është planifikuar të bëhet në Tiranë.

“Ne do të ndërtojmë një makinë të vërtetë. Konstruksioni po realizohet në Mynih, por kemi menduar që prezantimin ta bëjmë në Tiranë. Fillimisht do të përgatisim një prototip për ekspozim, të cilin synojmë ta përfundojmë brenda një viti”, deklaroi ai.

Gjatë bisedës, Rama e cilësoi kthimin e të rinjve dhe investimin e tyre në Shqipëri si një tregues të transformimit ekonomik të vendit dhe të mundësive që po krijohen për profesionistët shqiptarë brenda vendit.




Comments are closed.