×
Tuesday, June 16, 2026

Gonxhja: Vizitat në sitet kulturore u rritën me 95.7%, të ardhurat me 147% në tre vitet e fundit

June 16, 2026


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi trashëgiminë kulturore si një nga historitë më të suksesshme të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, duke theksuar rritjen e vazhdueshme të numrit të vizitorëve dhe të ardhurave në sitet kulturore të vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri, gjatë periudhës janar–maj 2026, institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore kanë mirëpritur gjithsej 424,082 vizitorë vendas dhe të huaj.

Nga ky total, 143,086 vizitorë kanë zgjedhur muzetë kombëtarë, 188,437 persona kanë vizituar parqet arkeologjike, ndërsa 91,559 vizitorë janë regjistruar në kala dhe monumente kulture.

Shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2023. Vizitueshmëria në sitet e trashëgimisë kulturore është rritur me 95.7%, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga këto destinacione kanë shënuar një rritje prej 147.44%.

Edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, trendi mbetet pozitiv, me një rritje prej 9.9% të numrit të vizitorëve dhe 7.3% të të ardhurave.

“Trashëgimia jonë nuk është thjesht histori, ajo është energji, krenari kombëtare dhe një magnet që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota”, u shpreh ministri Gonxhja.

Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, këto rezultate konfirmojnë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të turizmit kulturor në zhvillimin ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.




Comments are closed.