Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat dhe procedurat për organizimin e programeve të vullnetarizmit nga personat juridikë fitimprurës, duke përcaktuar mënyrën e aplikimit, shqyrtimit dhe miratimit të tyre.
Sipas vendimit, çdo person juridik vendas ose i huaj, i regjistruar dhe që ushtron veprimtari fitimprurëse në Shqipëri, duhet të aplikojë pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) përpara nisjes së programit të vullnetarizmit. Kërkesa do të dorëzohet online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Aplikimi duhet të shoqërohet me një përshkrim të detajuar të programit, objektivat që synon të arrijë, fushën e veprimtarisë, grupet përfituese, si dhe planin e angazhimit të vullnetarëve, ku përcaktohen kohëzgjatja dhe detyrat që do të kryhen.
Po ashtu, subjektet duhet të paraqesin masat e parashikuara për garantimin e sigurisë së vullnetarëve, mbrojtjen e të dhënave personale, planin e trajnimit dhe mbështetjes së tyre, si dhe mekanizmat e monitorimit dhe raportimit të programit.
AKPA do të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur dhe, në rast se ai rezulton i paplotë, do të kërkojë plotësimin e tij brenda një afati prej pesë ditësh. Më pas, institucioni do të verifikojë nëse programi është në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në ligjin “Për vullnetarizmin”.
Në përfundim të procesit të shqyrtimit, AKPA do të japë vendimin për miratimin ose refuzimin e kërkesës, duke argumentuar arsyet përkatëse në secilin rast. Vendimi synon të krijojë një kuadër më të qartë për përfshirjen e sektorit privat në aktivitete vullnetare, duke garantuar standarde të përcaktuara për organizimin dhe mbikëqyrjen e tyre.