×
Thursday, June 11, 2026

Qeveria miraton mbi 870 milionë lekë kompensim për pronarët e prekur nga legalizimet

June 10, 2026


Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që janë prekur nga ndërtimet e legalizuara në disa qarqe të vendit, në kuadër të procesit të përfundimit të legalizimeve.

Vendimi është marrë në zbatim të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe është propozuar nga Kryeministri.

Sipas vendimit, vlera totale e kompensimit financiar arrin në 870.762.086,47 lekë, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme që do të kompensohet është 85.140,35 metra katrorë tokë e prekur nga ndërtimet e legalizuara.

Përfitues të këtij fondi janë pronarët e pasurive në juridiksionin e drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Elbasan, Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Sarandë, Gjirokastër, Kukës dhe Lushnjë, si edhe në zonat e stimuluara dhe njësitë rurale të Tiranës.

Sipas aktit të miratuar, fondi i kompensimit do të përballohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, në përputhje me legjislacionin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Po ashtu, vendimi parashikon që të ardhurat e siguruara nga shitja e parcelave ndërtimore në kuadër të proceseve të legalizimit do të përdoren për financimin e kompensimit të pronarëve të shpronësuar.

Në kuadër të zbatimit të vendimit, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës do të kryejnë edhe ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, me qëllim pasqyrimin e plotë të vendimmarrjes dhe përmbylljen e procedurave administrative.




Comments are closed.