Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me përdorimin e flamurit dhe stemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me personat që janë shfaqur në protestë duke pretenduar se flasin në emër të veteranëve.
Në një deklaratë të firmosur nga kryetari i organizatës, Hysni Gucati, OVL-UÇK thekson se nuk ka dhënë asnjë mandat për përfaqësim dhe se nuk ka pasur asnjë bashkërendim me individët e përfshirë.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me individët që u shfaqën në një protestë në Shqipëri me flamurin e UÇK-së, duke pretenduar se flasin në emër të veteranëve të UÇK-së. Ky pretendim është i rremë. Nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emër tonë, pasi ne e kemi përfaqësinë tonë në Tiranë”, thuhet në deklaratë.
Veteranët e UÇK-së nënvizojnë se stema dhe simbolika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë sakrificën e luftës për liri dhe nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo kauza të tjera.
“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo që shfaqet, mbart peshën e asaj sakrifice dhe kjo peshë nuk mund të huazohet për agjendën ditore të dikujt”, theksohet më tej.
Në përfundim, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që emri dhe simbolet e saj të trajtohen me respekt dhe përgjegjësi.
“Kërkojmë që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe qoftë hera e fundit që ato keqpërdoren”, përfundon deklarata.