Gonxhja prezanton Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030: Synojmë dyfishimin e financimit për kulturën
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030, një dokument që synon të orientojë zhvillimin e sektorit kulturor në pesë vitet e ardhshme dhe që, sipas tij, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimesh të nisur që në tetor të vitit të kaluar.
Gjatë prezantimit, Gonxhja theksoi se strategjia shoqërohet me një paketë reformash të rëndësishme ligjore dhe institucionale, të cilat synojnë modernizimin e sektorit të kulturës, rritjen e financimit dhe krijimin e më shumë mundësive për artistët dhe industrinë kreative.
“Sot jemi duke çuar përpara një paketë të thellë reformash: nga puna për ligjin e ri të donacioneve dhe sponsorizimeve për artin, kulturën dhe sportin, te ligji i ri i kinematografisë dhe audiovizualit, si dhe rishikimi i ligjit për artin dhe kulturën”, deklaroi ministri.
Sipas tij, një nga nismat kryesore është krijimi i Fondit Kombëtar të Artit, i cili do të financohet nga kursimet e realizuara në tendera dhe do të përdoret për pasurimin e koleksioneve të galerive, muzeve dhe veprave të artit në hapësirat publike. Paralelisht, do të vihet në funksion edhe Fondi i Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore.
Një tjetër mekanizëm i ri që parashikohet të krijohet është Këshilli i Mbështetjes së Projekteve nga lojërat e fatit, i cili do të financojë projekte kulturore, sociale, sportive dhe krijuese.
Gonxhja nënvizoi se synimi është krijimi i më shumë burimeve financiare jashtë kufizimeve tradicionale buxhetore, duke i dhënë sektorit kulturor më shumë hapësirë për zhvillim dhe qëndrueshmëri.
“Sfida jonë nuk është vetëm të ruajmë atë që kemi, por të ndërtojmë një sistem funksional ku kultura të mos mbetet e përqendruar në disa qendra urbane, por të shpërndahet si një e drejtë për çdo qytetar dhe në çdo territor të vendit”, u shpreh ai.
Strategjia synon gjithashtu krijimin e një sistemi ku artistët të kenë më shumë siguri dhe mundësi zhvillimi profesional, ndërsa institucionet kulturore të forcojnë rolin e tyre si qendra reference dhe besimi për publikun.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është shndërrimi i kulturës në një motor zhvillimi ekonomik përmes turizmit kulturor, promovimit të trashëgimisë dhe përfshirjes së komuniteteve lokale në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore.
Programet e strategjisë do të fokusohen në tre drejtime kryesore: forcimin institucional dhe profesional të sektorit, zhvillimin territorial dhe bashkëpunimin lokal, si dhe modernizimin e infrastrukturës dhe shërbimeve kulturore.
Ministri bëri të ditur se aktualisht Shqipëria investon rreth 0.3–0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në kulturë dhe rekreacion, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është rreth 1.2%.
“Përmes kësaj strategjie kombëtare, ne angazhohemi zyrtarisht ta dyfishojmë mesataren aktuale të financimit deri në vitin 2030, duke synuar të arrijmë në 0.8% të PBB-së, në përputhje me shtete të krahasueshme të Bashkimit Evropian si Rumania, Bullgaria dhe Italia. Në afatgjatë synojmë nivelin europian prej 1 deri në 1.2% të PBB-së”, tha Gonxhja.
Sipas ministrit, ky angazhim pritet të gjenerojë një ndikim ekonomik prej rreth 709 milionë eurosh në sektorin kulturor deri në vitin 2030.
Në përfundim të prezantimit, Gonxhja falënderoi partnerët ndërkombëtarë që kontribuuan në hartimin e dokumentit strategjik, mes tyre Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), Fondacionin Santagata, Ambasadën Italiane në Shqipëri dhe Qeverinë Italiane, të cilët i cilësoi partnerë të rëndësishëm në procesin e zhvillimit kulturor dhe integrimit europian të vendit.







