×
Saturday, May 30, 2026

OSBE modernizon qendrën e çaktivizimit të armëve në Mullet

May 30, 2026


Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka përfunduar rikonstruksionin dhe pajisjen me teknologji të re të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Zjarrit në Mullet, një investim që synon forcimin e kapaciteteve të vendit në luftën kundër trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zëvendësambasadori gjerman Thilo Schroeter dhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.

“Ky është një hap i rëndësishëm në punën tonë të përbashkët në mbështetje të sigurisë publike në Shqipëri”, deklaroi ambasadori Tarran gjatë aktivitetit të zhvilluar në Qendrën e Furnizimit Materialo-Teknik.

Investimi është realizuar në kuadër të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga OSBE-ja me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Përveç modernizimit të infrastrukturës dhe pajisjeve të qendrës, projekti ka kontribuar edhe në forcimin e kuadrit ligjor dhe teknik për çaktivizimin e armëve. Në këtë kuadër janë hartuar dokumente strategjike, vlerësime të praktikave ekzistuese dhe manuale trajnimi për specialistët e fushës.

Nisma synon gjithashtu rritjen e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese për parandalimin e përhapjes së armëve të paligjshme, si dhe forcimin e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet që lidhen me posedimin dhe keqpërdorimin e armëve të vogla dhe të lehta.

Sipas organizatorëve, projekti përbën një tjetër hap në përpjekjet për rritjen e sigurisë publike dhe për harmonizimin e standardeve shqiptare me praktikat europiane në fushën e kontrollit të armëve.




Comments are closed.