Korça drejt shndërrimit në qendër festivalesh, po ndërtohet “Poli i Industrisë Kreative”
Në qytetin e Korcës po vijojnë punimet për ndërtimin e “Polit të Festivaleve dhe Industrisë Kreative”, një projekt i ri me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit.
Kryeministri ishte i pranishëm në kantier për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, ndërsa projekti po zhvillohet në një sipërfaqe prej 18 hektarësh dhe synon të krijojë një hapësirë moderne multifunksionale për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve artistike gjatë gjithë vitit.
Kompleksi do të përfshijë hapësira të mëdha për organizimin e eventeve, me skena të hapura dhe të mbyllura, kapacitete që variojnë nga aktivitete të mesme deri në organizime me përmasa të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare. Parashikohen gjithashtu zona shërbimi, hapësira parkimi dhe infrastrukturë mbështetëse për turizmin dhe industrinë kreative.
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, bëri të ditur se në zonën qendrore të kompleksit po ndërtohet një hapësirë e mbyllur me kapacitet nga 1500 deri në 2000 persona, ndërsa pjesa e jashtme do të shërbejë për evente të mëdha që mund të presin deri në 20 mijë pjesëmarrës.
Ai theksoi se skena është konceptuar me funksion të dyfishtë, duke mundësuar organizimin e aktiviteteve si në ambiente të mbyllura, ashtu edhe në hapësira të hapura, çka e bën kompleksin funksional gjatë gjithë vitit dhe në kushte të ndryshme atmosferike.
Projekti përfshin gjithashtu zona për kampera, ambiente për jetën e natës, skena verore dhe hapësira rekreative, duke synuar krijimin e një destinacioni të ri për turizmin kulturor dhe argëtimin në vend.
Ndërkohë, infrastruktura bazë e projektit është drejt përfundimit, përfshirë rrjetin e brendshëm rrugor, sistemet e kanalizimeve, ndriçimin dhe furnizimin me energji elektrike. Ky investim pritet të shërbejë edhe si një hapësirë praktike për të rinjtë dhe studentët e industrive kreative, duke forcuar lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës.
Edhe pse ende në zhvillim, hapësira ka nisur të presë evente të rëndësishme kulturore, si dhe aktivitete artistike të operës, duke e pozicionuar Korçën si një qendër në rritje për festivalet dhe kulturën në Shqipëri.







