Shqipëria merr drejtimin e CEFTA 2026, Ibrahimaj prezanton prioritetet për integrimin në tregun e BE-së
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit,, mori pjesë në Mbledhjen Ministrore mbi prioritetet e CEFTA 2026, ku Shqipëria, në cilësinë e Kryesisë së radhës, paraqiti vizionin për forcimin e integrimit ekonomik rajonal dhe afrimin gradual me Tregun Unik Evropian.
Në fjalën e saj hapëse, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e këtij momenti për vendin, pas konfirmimit të përmbushjes së standardeve të ndërmjetme për Klasterin 1 – “Themeloret”, gjatë Konferencës së 8-të të Anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, ky zhvillim hap rrugën për avancimin e mëtejshëm të negociatave teknike, përfshirë Kapitullin 30 që lidhet me tregtinë ndërkombëtare.
Gjatë takimit, ministrja vlerësoi rolin e CEFTA-s si një platformë kyçe për përgatitjen e vendeve të rajonit drejt integrimit në Tregun Unik të BE-së, në përputhje me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025–2028.
Në kuadër të Kryesisë shqiptare për vitin 2026, Ibrahimaj prezantoi një sërë prioritetesh të fokusuara në:
- reduktimin e kohës së pritjes në kufi,
- avancimin e infrastrukturës digjitale,
- harmonizimin me standardet e BE-së,
- forcimin e koordinimit institucional.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e nismave si SEED+ dhe “Green Lanes”, harmonizimin e orareve të punës në pikat kufitare dhe mundësinë e operimit 24/7 në pika strategjike.
Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen për njohjen reciproke të nënshkrimeve dhe vulave elektronike, si dhe rezultateve të testimit të produkteve, duke synuar lehtësimin e tregtisë pa dokumente fizike dhe rritjen e transaksioneve digjitale në rajon.
Në fokus ishte edhe njohja e kualifikimeve profesionale, si një hap i rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore dhe krijimin e më shumë mundësive ekonomike për qytetarët.
Në përfundim, ministrja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe për rolin e Sekretariatit të CEFTA-s në mbështetje të Kryesisë shqiptare.







