×
Tuesday, May 26, 2026

Mbi 10 mijë aplikime në 24 orë për Skemën Kombëtare, fermerët nxitojnë për subvencionet

May 26, 2026


Interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi është reflektuar që në ditët e para të hapjes së aplikimeve, ku mbi 10 mijë kërkesa janë regjistruar brenda 24 orëve të para. Afati përfundimtar për aplikim është data 25 qershor.

Pavarësisht mundësisë për aplikim online përmes e-Albania, një pjesë e madhe e fermerëve vijojnë të preferojnë paraqitjen fizike pranë zyrave të AREB Tiranë dhe agropikave, për të marrë asistencë gjatë procesit.

Një prej tyre është edhe fermeri Adem Lushi, i cili ka udhëtuar nga Domja për të aplikuar në skemën mbështetëse për blegtorinë.

“Kam ardhur nga stanet në Domje për të aplikuar. Kam 270 kokë dele dhe vij çdo vit këtu, pasi vetë nuk kam mundësi ta bëj në telefon”, u shpreh ai.

Ndryshe nga vitet e kaluara, procesi i aplikimit këtë vit është thjeshtuar ndjeshëm. Sipas specialistëve, numri i veprimeve është reduktuar, duke e bërë më të lehtë dhe më të aksesueshëm për fermerët.

Përfaqësuesja e shërbimit, Gerantina Llanaj, theksoi se shumë procese janë automatizuar dhe kërkohet më pak informacion nga aplikantët.

“Mjafton të hapim e-Albania dhe të ngarkojmë të dhënat bazë si vendndodhja, masa përfituese dhe numri i llogarisë bankare. Aplikimi kryhet shpejt dhe me sukses”, u shpreh ajo.

Një tjetër risi e kësaj skeme është rritja e mbështetjes financiare për blegtorët. Subvencioni për krerë është rritur nga 1200 lekë në 1500 lekë për kokë, duke sjellë përfitime më të mëdha për fermerët.

Ndërkohë, për herë të parë, fermerët e rinj nën moshën 40 vjeç do të kenë mundësi të përfitojnë deri në 1 milion lekë të reja, nëse investojnë në ndërtimin e stallave apo në kultivimin e tokës bujqësore.

Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të aplikojnë brenda afatit, duke shfrytëzuar lehtësitë e reja të procedurës dhe mbështetjen e ofruar nga strukturat përkatëse.




Comments are closed.