×
Monday, May 25, 2026

TIA prezanton teknologjinë “mission-critical” me Airbus dhe Vodafone: Hapi i parë drejt aeroportit inteligjent në Ballkanin Perëndimor

May 25, 2026


Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), në bashkëpunim me Vodafone Albania dhe gjigantin global të teknologjisë Airbus, ka prezantuar zyrtarisht implementimin e platformës së komunikimeve “mission-critical”, duke shënuar një moment të rëndësishëm për transformimin dixhital të infrastrukturës aeroportuale në Shqipëri.

Me këtë zhvillim, TIA bëhet aeroporti i parë në Ballkanin Perëndimor që adopton një teknologji të tillë të avancuar, e cila përdoret gjerësisht në aeroportet më të mëdha ndërkombëtare, si dhe në sektorë kritikë të sigurisë dhe emergjencave.

Platforma e re është ndërtuar mbi rrjetin 5G të Vodafone Albania dhe mundëson komunikim të sigurt, të menjëhershëm dhe në kohë reale ndërmjet ekipeve operacionale të aeroportit. Kjo përfshin koordinim më efikas të proceseve, reagim më të shpejtë ndaj situatave emergjente dhe një menaxhim më të avancuar të sigurisë.

Sipas drejtuesve të projektit, kjo teknologji krijon një mjedis operativ më të integruar dhe të automatizuar, duke rritur ndjeshëm standardet e funksionimit të aeroportit dhe duke e afruar atë me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Drejtori Operacional i TIA, Piervittorio Farabbi, e cilësoi këtë investim si një hap strategjik për të ardhmen e aeroportit dhe të sektorit të transportit ajror në Shqipëri.

“Sot Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës hedh një hap të rëndësishëm përpara me implementimin e platformës mission-critical të Airbus, të mbështetur nga lidhja e avancuar 5G e Vodafone Albania. Së bashku po ndërtojmë një infrastrukturë që garanton operacione më të sigurta, koordinim në kohë reale dhe mbështet konkurrueshmërinë afatgjatë të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania, Balázs Révész, theksoi se ky projekt demonstron evolucionin e rolit të kompanisë nga një operator tradicional telekomunikacioni në një partner strategjik të transformimit dixhital.

“Ky projekt tregon qartë se roli i Vodafone sot shkon shumë përtej telekomunikacionit tradicional. Nëpërmjet partneriteteve me liderë globalë si Airbus dhe institucione strategjike si Tirana International Airport, ne po sjellim në Shqipëri teknologji të provuara dhe standarde të avancuara që mbështesin funksionimin e infrastrukturave kritike”, deklaroi ai.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Airbus për Europën Jugore, Lionello Ginelli, nënvizoi se kombinimi i platformës Agnet me rrjetin 5G krijon një zgjidhje të integruar të nivelit të lartë për mjedise operacionale komplekse.

Sistemi i implementuar bazohet në teknologjinë “Push-to-Talk Mission Critical”, e cila garanton komunikim të pandërprerë dhe të besueshëm mes ekipeve në terren. Platforma integrohet plotësisht me infrastrukturën ekzistuese të aeroportit dhe krijon bazën për zhvillime të mëtejshme në automatizim, monitorim inteligjent dhe menaxhim të avancuar të proceseve.

Ekspertët e fushës e konsiderojnë këtë iniciativë si një shembull të qartë se si bashkëpunimi mes institucioneve vendase dhe kompanive ndërkombëtare mund të përshpejtojë modernizimin e infrastrukturave kritike, duke rritur sigurinë, efikasitetin dhe konkurrueshmërinë e vendit në nivel rajonal.

Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e eksperiencës së pasagjerëve, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e rolit të Shqipërisë si një nyje e rëndësishme transporti në Ballkanin Perëndimor.




Comments are closed.