Tatimet hapin aplikimet për Paqen Fiskale 2026, zbardhen afatet dhe lehtësitë për bizneset
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar udhëzimin zyrtar për procedurat dhe afatet e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2026, një nismë që synon formalizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e detyrimeve për tatimpaguesit.
Sipas këtij udhëzimi, aplikimet do të kryhen vetëm në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Filing, duke nisur nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026. Çdo aplikim i paraqitur jashtë këtij afati do të refuzohet automatikisht.
Administrata Tatimore bën të ditur se procesi do të zhvillohet nën standarde të rrepta transparence dhe monitorimi, me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian. Njëkohësisht, do të përdoren mekanizma të avancuar kontrolli, përfshirë analizën e riskut dhe inteligjencën artificiale, për të parandaluar çdo formë abuzimi apo pastrimi parash.
Procedura parashikon që pas aplikimit dhe verifikimit paraprak, tatimpaguesit do të njoftohen për çdo mungesë dokumentacioni, i cili duhet të plotësohet brenda 3 ditëve pune. Vendimi përfundimtar mbi aplikimin do të jepet brenda 5 ditëve, por jo më vonë se 10 qershor 2026.
Në rast miratimi, marrëveshja duhet të nënshkruhet dhe dorëzohet elektronikisht brenda datës 15 qershor 2026, ndërsa për subjektet që do të kryejnë rideklarime për vitet 2023–2025, pagesat dhe dokumentacioni përkatës duhet të përfundojnë deri më 30 qershor 2026.
Ligji për Paqen Fiskale parashikon një sërë lehtësish për bizneset dhe individët, duke përfshirë fshirje të pjesshme ose të plotë të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave, në varësi të periudhës së krijimit të tyre.
Për detyrimet deri në vitin 2014 parashikohet fshirje e plotë, ndërsa për periudhën 2015–2019 ofrohen ulje të principalit deri në 50%, nëse pagesat kryhen brenda afateve të përcaktuara. Për detyrimet më të fundit, nga 2020 deri në 2024, fshihen plotësisht penalitetet me kusht që të paguhet detyrimi bazë.
Nga kjo skemë përjashtohen subjektet e dënuara për vepra penale në fushën tatimore apo doganore, si edhe ato që janë aktualisht në proces hetimi apo gjyqësor për këto çështje.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre dhe të ndjekin afatet për të përfituar nga kjo paketë lehtësuese, që synon rikthimin e tyre në marrëdhënie të rregullta me sistemin fiskal.







