Balla ironizon Bashën me një foto nga avioni: “E bënte ditën natë, por s’bëhej pishman”
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetet sociale një foto të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa ky i fundit ndodhet në avion.
Në postimin e tij, Balla ka përdorur tone ironike, duke rikujtuar disa prej gafave publike të Bashës ndër vite. “Kishte pak problem matematikën, bënte ndonjë gafë me datat historike, e bënte ditën natë, e maste energjinë me litra, por nuk bëhej kurrë pishman”, shkruan ai.
Ajo që bie në sy në këtë reagim është përdorimi i fjalës “pishman”, e cila vjen vetëm një ditë pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën dakordësi dhe votuan në Kuvend rezolutën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Postimi i Ballës shihet si një tjetër episod i përplasjes politike në distancë mes figurave kryesore të mazhorancës dhe opozitës, pavarësisht momenteve të rralla të konsensusit institucional.







