×
Friday, May 15, 2026

Sorrentino bën batutë në Quirinale: “Po të jetonim vetëm me artistë, bota do të ishte më e qetë”

May 14, 2026


Regjisori i njohur italian Paolo Sorrentino bëri një batutë me humor ndaj presidentit italian Sergio Mattarella gjatë ceremonisë së 145-vjetorit të krijimit të SIAE në Pallatin Quirinale.

“Nëse bota do të banohej vetëm nga ju dhe artistët, do të jetonim të gëzuar dhe paqësisht. Fatkeqësisht, janë edhe të tjerët”, u shpreh Sorrentino, duke shkaktuar buzëqeshje mes të pranishmëve.

Paolo Sorrentino konsiderohet një nga autorët më të rëndësishëm të kinemasë europiane bashkëkohore. Ai është fitues i çmimit Oscar për filmin “The Great Beauty”, ndërsa veprat e tij njihen për stilin vizual poetik, ironinë dhe reflektimet mbi pushtetin, famën dhe vetminë moderne.

Në fjalën e tij, presidenti Mattarella vlerësoi rolin e SIAE në mbrojtjen e autorëve dhe kulturës italiane.

“SIAE mbron autorët dhe krijimtarinë, duke dhënë një kontribut vendimtar në jetën kulturore, sociale, civile dhe ekonomike të vendit, por edhe në ndërgjegjen e shoqërisë sonë”, deklaroi ai.

SIAE është Shoqata Italiane e Autorëve dhe Botuesve, institucioni që merret me mbrojtjen e të drejtave të autorit në Itali, duke administruar honoraret dhe përdorimin e veprave muzikore, filmike, letrare e artistike.

Sipas Mattarellës, mbi 126 mijë autorë dhe rreth 30 milionë vepra tregojnë rëndësinë dhe ndikimin e institucionit në kulturën italiane.




Comments are closed.