Kallas: Zgjedhjet në Kosovë po shtyjnë dialogun me Serbinë, BE kërkon rifillim të procesit
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore për vonesat në organizimin e një rundi të ri dialogu në nivel të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit.
Duke folur për gazetarët, Kallas theksoi se ekziston gatishmëri nga të dyja palët për të vijuar procesin, si nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por zhvillimet politike në Kosovë kanë ndikuar në shtyrjen e tij.
“Kishim planifikuar dialog politik në nivel të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës. Kishim pëlqimin e të dy liderëve, por tani zgjedhjet në Kosovë po afrohen sërish, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, u shpreh Kallas.
Ajo shtoi gjithashtu se puna e BE-së me të dyja palët po vazhdon paralelisht, me fokus në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
“Unë po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, deklaroi ajo.
Sipas saj, takimi i fundit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa që prej dhjetorit 2024 ajo ka marrë detyrën si ndërmjetësuese e lartë e BE-së në politikën e jashtme.
Kallas ndodhet në një vizitë diplomatike ku sot mirëpret edhe një takim të përbashkët mes ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.
Takimi shihet si një hap paraprak për diskutime më të gjera mbi rajonin, përfshirë përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.
Diplomatët evropianë bëjnë të ditur se në fokus të bisedimeve do të jenë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.







