×
Monday, June 1, 2026

Hoxha në Bruksel: Zgjerimi i BE-së, garanci për paqe dhe transformim demokratik në Ballkan

May 11, 2026


Me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informal mes ministrave të Jashtëm të BE-së dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se për Shqipërinë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian përbën një zgjedhje strategjike, që sipas tij është garancia më e fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik në rajon.

“Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sepse mbetemi të bindur se nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme,” u shpreh ai.

Në një postim të gjatë, ministri Hoxha vlerësoi se bota po përballet me ndryshime të thella gjeopolitike, ku rregullat dhe siguria ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më të brishta. Sipas tij, në këtë kontekst “uniteti i qëllimit dhe veprimit nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri”.

Ai theksoi se për Shqipërinë, integrimi evropian nuk është një opsion i hapur për seleksionim, por një angazhim i plotë. “Në këtë drejtim, ne i lejojmë vetes vetëm një përqindje: 100%,” deklaroi Hoxha.

Duke folur për rajonin, ai vuri në dukje se Ballkani Perëndimor ka bërë përparim, por ende ka punë për t’u bërë, veçanërisht në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe forcimin e bashkëpunimit. Ai theksoi se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të mbetet një objektiv i shtyrë në kohë, por një prioritet real.

“Njëzet e shtatë vjet pas ngjarjeve tragjike të vitit 1999, rajoni meriton një të ardhme të bazuar në stabilitet, njohje reciproke dhe integrim evropian,” u shpreh ai.

Hoxha ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e kërcënimeve kibernetike dhe hibride, duke sjellë në vëmendje edhe përvojën e Shqipërisë si objekt i sulmeve serioze në të kaluarën.

“Nuk ushqejmë iluzione: sa më shumë t’i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më të sofistikuara bëhen këto kërcënime,” deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë.

Në përfundim, ministri ritheksoi se Shqipëria mbetet e vendosur për të çuar përpara procesin e integrimit evropian dhe për ta kthyer atë në një sukses të përbashkët për vendin, rajonin dhe vetë Bashkimin Evropian.




Comments are closed.