×
Monday, May 11, 2026

Rama: Shqipëria në fazë të avancuar në prokurimet publike, konkurrenca mbi mesataren e BE-së

May 11, 2026


Kryeministri Edi Rama, së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, zhvilluan një konferencë për mediat mbi ecurinë e Shqipërisë në këtë fushë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vendi ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave dhe se progresi në prokurimet publike vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Sot jemi këtu për të ndarë me publikun disa fakte, sipas nesh shumë domethënëse, për ecurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike dhe për sa dhe si, kjo ecuri vlerësohet objektivisht nga partnerët tanë, ashtu sikundër edhe për çfarë hapash ne do të bëjmë më tej,” u shpreh Rama.

Ai shtoi: “Dua t’i falënderoj të gjithë ata që janë pjesë e grupit drejtues dhe ekspertëve të prokurimeve, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë.”

Rama iu referua gjithashtu një raporti të Gjykatës Evropiane të Llogarive për vendet e BE-së, duke cituar problematika si mungesa e konkurrencës, rritja e kostove dhe procedurat me vetëm një ofertues.

“Raporti flet për një nivel konkurrence për kontrata publike në rënie gjatë viteve të fundit, flet për një mungesë ndërgjegjësimi lidhur me faktin që konkurrenca është një parakusht kyç për vlerën e parasë në prokurimet publike,” deklaroi ai.

Ai shtoi se raporti evidenton gjithashtu se “mbi 40% të garave bëhen me vetëm një ofertues”, si dhe “një kohëzgjatje mesatare të procedurave të prokurimit të rritur me rreth 50%”.

Në vijim, Rama krahasoi të dhënat e BE-së me Shqipërinë, duke thënë se vendi qëndron në nivele të ngjashme apo më të mira në disa tregues.

“Sot në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm përbëjnë 32.3% në vendet e BE-së, ndërsa për Shqipërinë janë 23.5%,” tha ai.

Ai shtoi se në disa shtete të BE-së ky tregues shkon deri në 57.4%, ndërsa Shqipëria qëndron në nivele më të ulëta.

Sipas Ramës, “numri mesatar i ofertuesve për procedurë në BE është 3.2, ndërsa në Shqipëri është 3.7”.

Ai theksoi gjithashtu se “në Shqipërinë e vitit 2025, vetëm 12% e prokurimeve publike janë mbyllur me një ofertues të vetëm, ndërsa në BE kjo shifër është 14%”.

Rama përfundoi se këto tregues e pozicionojnë Shqipërinë në një fazë të avancuar të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian në fushën e prokurimeve publike.




Comments are closed.