Tensionet SHBA–Iran rrisin çmimin e naftës, Trump: “Përgjigjja e Teheranit, krejtësisht e papranueshme”
Çmimet e naftës shënuan rritje të ndjeshme në tregjet aziatike këtë të hënë, të nxitura nga përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe nga reagimi i ashpër i presidentit amerikan Donald Trump ndaj propozimit të fundit nga Teherani.
Nafta Brent u rrit me 4.30%, duke arritur në 105.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit me 4.72%, duke kapur nivelin e 99.92 dollarëve për fuçi.
Lëvizjet në treg u ndikuan drejtpërdrejt nga një reagim i Trump në rrjetet sociale, ku ai e cilësoi përgjigjen iraniane si “krejtësisht të papranueshme”.
Megjithëse presidenti amerikan nuk bëri publike detajet e plota të ofertës së Teheranit, ai paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje të shpejtë mund të çojë në një tjetër përshkallëzim të situatës në terren.
Sipas raportimeve, Irani kishte propozuar ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, heqjen e bllokadës ndaj eksporteve të tij dhe njohjen e rolit të Teheranit në administrimin e ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Megjithatë, aleatët rajonalë të SHBA-së kanë kundërshtuar fort çdo ide që Irani të marrë kontrollin e këtij kalimi strategjik apo të vendosë tarifa për anijet që kalojnë aty.
Vetëm disa orë përpara këtij reagimi, Trump kishte akuzuar publikisht Iranin se “po luan lojëra” dhe po përpiqet të zvarrisë procesin e negociatave, duke sinjalizuar se durimi i Uashingtonit ndaj bisedimeve është drejt fundit.







