Nis projekti për Bypass-in e Elbasanit, punimet pritet të fillojnë në vjeshtë
Kanë nisur procedurat për realizimin e projektit të shumëpritur të Bypass-it të Elbasan. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se punimet pritet të nisin në vjeshtë dhe do të kenë një afat përfundimi prej rreth dy vitesh.
Segmenti, me gjatësi 4.2 kilometra, do të nisë në Bradashesh, në lidhje me autostradën Elbasan-Tiranë, dhe do të vijojë në një terren fushor drejt lumit Shkumbin, për t’u lidhur më pas me Korridori VIII.
Ky investim synon të lehtësojë ndjeshëm trafikun në qytet, pasi aktualisht rreth 18 mijë deri në 20 mijë mjete kalojnë çdo ditë në këtë aks, duke shkaktuar shpesh radhë të gjata për shkak të ndërthurjes me rrugë urbane dhe rurale.
Gjatë fundjavave, fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 30-35 mijë mjete në ditë, çka e bën ndërtimin e bypass-it një projekt kyç për përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjeve rrugore në zonë.







