Deputeti Llajo jep lajmin e mirë: Zgjatet Orari në Qafë Botë, Synohet Funksionimi 24/7 brenda Korrikut
Pas letrës së drejtuar disa muaj më parë Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, nga deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Vasill Llajo, është arritur një hap konkret për zgjatjen e orarit të funksionimit në pikën kufitare të Qafë Botës.
Sipas vendimit të ri, dogana në Qafë Botë do të funksionojë nga ora 05:00 deri në orën 23:00, ndërsa në territorin grek orari do të jetë nga 06:00 deri në 00:00.
Ky zhvillim vjen si rezultat i angazhimit institucional dhe bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe greke, me synimin për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, për të mbështetur ekonominë lokale dhe për të nxitur turizmin në zonat kufitare.
Burime pranë palëve të përfshira bëjnë me dije se objektivi i afërt mbetet rikthimi i funksionimit 24 orë në 7 ditë të javës, me pritshmërinë që ky regjim të hyjë në fuqi brenda muajit korrik.
Zgjatja e orarit konsiderohet një lajm pozitiv për komunitetet në të dy anët e kufirit, bizneset dhe qytetarët që udhëtojnë çdo ditë mes Shqipërisë dhe Greqisë.







