Samiti SHBA–Kinë në Pekin, Pekini synon “më shumë stabilitet” në marrëdhëniet ndërkombëtare
Kina ka deklaruar se synon të sjellë “më shumë stabilitet” në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë samitit të planifikuar mes presidentëve të saj dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili pritet të mbahet këtë javë në Pekin.
Në një konferencë të rregullt për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të bazohet në parimet e barazisë, respektit dhe interesit të ndërsjellë.
“Kina synon të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi bazën e barazisë, në frymën e respektit dhe të interesit të ndërsjellë, për të zhvilluar bashkëpunimin, për të menaxhuar mosmarrëveshjet dhe për të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në një botë të paqëndrueshme dhe të ndërvarur,” u shpreh ai.
Autoritetet kineze konfirmuan gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kinë nga e mërkura deri të premten, me ftesë të presidentit Xi Jinping.
Kjo vizitë shënon rikthimin e një presidenti amerikan në Kinë për herë të parë që nga viti 2017.
Ministria e Jashtme kineze bëri të ditur se vizita shtetërore do të zhvillohet pas njoftimit të mëhershëm nga vetë Trump, ndërsa konfirmimi zyrtar nga Pekini erdhi vetëm pak para nisjes, në përputhje me praktikat e zakonshme diplomatike.
Fillimisht, vizita ishte planifikuar për në fund të marsit, por u shty me kërkesë të Uashingtonit për disa javë, për shkak të zhvillimeve që lidhen me konfliktin me Teheranin.







