Shqipëria prezantohet në Bienalen e Venecias me “A Place in the Sun”
Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë u inaugurua në edicionin e 61-të të La Biennale di Venezia, duke sjellë për publikun veprën “A Place in the Sun” nga artisti Genti Korini, nën kurimin e Małgorzata Ludwisiak.
Në fjalën e tij, ministri Blendi Gonxhja theksoi se pjesëmarrja në këtë ngjarje përbën një moment strategjik për afirmimin e identitetit kulturor të vendit në arenën ndërkombëtare. Ai e cilësoi Pavijonin Kombëtar si një hapësirë ku Shqipëria shpreh mënyrën se si e koncepton veten dhe si dialogon me botën përmes artit bashkëkohor.
Duke iu referuar veprës së Korinit, Gonxhja u shpreh se “A Place in the Sun” sfidon kufijtë e komunikimit dhe perceptimit, duke krijuar një hapësirë ku gjuha, historia dhe imagjinata ndërthuren në mënyrë eksperimentale dhe reflektuese.
Nga ana e tij, artisti Genti Korini deklaroi se projekti synon të paraqesë identitetin si një proces në zhvillim, jo si një formë të mbyllur. Ai shpjegoi se përdorimi i gjuhës eksperimentale Zaum dhe koncepti i një “teatri fiktiv” e vendosin shikuesin në një realitet ku kuptimi krijohet përmes ndërveprimit të imazheve, tingujve dhe narrativave të fragmentuara.
Ministri Gonxhja ndaloi edhe te roli i artit si një forcë transformuese në shoqëri, duke theksuar se Shqipëria po ndërton një model të ri ndërveprimi kulturor, ku arti shërben si mjet për zhvillim, reflektim dhe dialog ndërkombëtar.
Ai përmendi gjithashtu rihapjen e Galeria Kombëtare e Arteve, duke e cilësuar si një moment kyç për transformimin e saj në një platformë aktive për krijim dhe bashkëpunim artistik.
Instalacioni “A Place in the Sun” kombinon video me tre kanale, performancë live, animacion, teatër kukullash dhe kolonë zanore origjinale, duke krijuar një hapësirë artistike që eksploron kufirin mes realitetit dhe fiksionit. Vepra mbështetet në referenca historike dhe diskurse mbi përfaqësimin e Shqipërisë në fillim të shekullit XX, duke e kthyer pavijonin në një hapësirë njëkohësisht kritike dhe poetike.
Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë do të qëndrojë i hapur për publikun nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, duke ofruar një platformë të vazhdueshme ekspozimi dhe dialogu me vizitorë nga e gjithë bota.







