Gonxhja: Projekti për fondin arkeologjik ndjek standarde ndërkombëtare, në fazë paraprake
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, iu përgjigj në Kuvend pyetjeve të deputetes Ina Zhupa lidhur me zhvendosjen e fondit të Muzeut Arkeologjik në një hapësirë nëntokësore të integruar me parking.
Gonxhja sqaroi se projekti mbështetet në praktika ndërkombëtare që ndërthurin funksionet muzeale me infrastrukturën urbane, duke përmendur shembuj nga Roma, Krakovë dhe Muzeu i Luvrit.
Ai theksoi se kërkesa fillestare është paraqitur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ndërsa autoritet kontraktor për projektin është përzgjedhur Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sipas ministrit, projekti duhet të përmbushë standarde të larta ndërkombëtare për ruajtjen e objekteve arkeologjike, duke përfshirë sisteme të avancuara të kontrollit mjedisor, ndriçimit dhe sigurisë.
“Integrimi i hapësirave muzeale nëntokësore është i pranueshëm nëse garantohen standardet e ekspozimit, aksesit dhe interpretimit për publikun”, u shpreh Gonxhja, duke shtuar se vendndodhjet pranë zonave me akses të lartë vizitorësh rrisin fizibilitetin dhe potencialin turistik.
Ai theksoi se trashëgimia kulturore mbetet prioritet dhe funksioni muzeal do të jetë dominues në çdo zgjidhje projektimi, duke përjashtuar çdo formë “banalizimi” të saj dhe duke synuar rritjen e turizmit kulturor.
Aktualisht, projekti ndodhet në fazë paraprake dhe nuk është zhvilluar ende një proces formal konsultimi publik. Sipas ministrit, në fazat e ardhshme do të përfshihen ekspertë dhe institucione të specializuara për të garantuar standardet dhe transparencën.







