Presidenti francez Emmanuel Macron të martën kundërshtoi rrëzimin e dhunshëm të regjimit iranian, ndërsa paralajmëroi për efekte potencialisht destabilizuese në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Gabimi më i madh sot do të ishte të përpiqeshim të bënim një ndryshim regjimi në Iran me mjete ushtarake, sepse kjo do të çonte në kaos”, u tha Macron gazetarëve në ditën e fundit të samitit të G7 në Kanada, duke paralajmëruar se “askush nuk mund të thotë se çfarë do të ndodhë më pas”.
“Ne kurrë nuk mbështesim veprime të destabilizimit rajonal”, shtoi ai.
Komentet e Macron vijnë ndërsa frika po rritet për shkak të mundësisë që SHBA-të të bashkohen me fushatën ushtarake të Izraelit në Iran, e cila filloi në fund të javës së kaluar dhe ka dëmtuar lokacionet bërthamore iraniane dhe ka vrarë zyrtarë të lartë të regjimit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të martën se Presidenti i SHBA-së Donald Trump po e shqyrtonte me të vërtetë këtë mundësi. Gjatë rrugës për t’u kthyer në SHBA mbrëmë, Trump tha se donte një “fund të vërtetë” të konfliktit dhe se “nuk ishte shumë në humor për të negociuar”.
Macron përmendi ndryshimet e detyruara të regjimit të kryera nga SHBA-të dhe aleatët e NATO-s në Irak dhe Libi si gabime të së kaluarës që nuk duhen përsëritur, duke qenë se ato kishin lindur paqëndrueshmëri politike vdekjeprurëse pasuese.
“Kolektivisht, a nuk i pamë pasojat që pati kjo në rajon dhe gjetkë? A mendon dikush se ajo që u bë në Irak në vitin 2003 ishte një ide e mirë? A mendon dikush se ajo që u bë në Libi në dekadën e kaluar ishte një ide e mirë? Jo”, tha Macron, duke vënë në dukje se vendet e rajonit nuk kanë nevojë për “kaos”.
Pa ofendim
Trump më parë e kishte kritikuar ashpër Macronin për sugjerimin se udhëheqësi i SHBA-së po largohej nga G7 më herët për të finalizuar një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit. Trump tha se presidenti francez “gjithmonë gabon” dhe se ai nuk po negocionte një armëpushim.
Macron tha se nuk ishte ofenduar nga reagimi i ashpër i Trump, duke e quajtur komentin e tij “një incident”.
“Nuk më prek,” tha Macron, duke theksuar se Trump “pati disa fjalë shumë miqësore” për të gjatë pjesës tjetër të samitit dhe se marrëdhëniet e tyre janë të mira.
Megjithatë, presidenti francez pohoi se Trump i tha se po punonte për një armëpushim të mundshëm dhe sugjeroi se mund të ketë ndryshuar mendje ndërkohë.
“Padyshim që ka pasur një ndryshim mendjeje. Por unë nuk jam përgjegjës për ndryshimin e mendjes së administratës amerikane,” tha Macron./ Politico


