Sejko: Inflacioni u kthye në objektiv pa shkaktuar recesion

19 Nov 2024 • 12:23
Shpërndaje:

Banka e Shqipërisë ndërmori menaxhim strategjik të kushteve monetare që siguroi që inflacioni të kthehej në objektiv pa shkaktuar recesion, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik në vend.

Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Workshop-in e 18-të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, që u mbajt sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ruth Huber, ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, si dhe të 25 kërkuesve shkencor të bankave qendrore të Austrisë, Azerbajxhanit, Bosnjë–Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Turqisë; të universiteteve nga Budapesti, Bukureshti, Barcelona, Milano, Londra, Tirana dhe institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore, Joint Vienna Institute dhe Instituti i Turizmit, Zvicër.

Guvernatori Sejko u shpreh se takimi i këtij viti vjen në një moment të veçantë, ku ekonomia globale përballet me pasiguri të shtuara që vijnë nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, por edhe me pasiguri politike dhe institucionale që krijojnë terren për ndryshime të rëndësishme të politikave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme. Ai theksoi se sfidat e tjera afatgjata të lidhura me ndryshimet e klimës, digjitalizimin dhe përfshirjen financiare, apo sigurinë kibernetike kërkojnë ndërmarrjen e politikave të rëndësishme, të cilat nxiten nga diskutime në forume të tilla.

Reklamë Ola

Më tej, Guvernatori nënvizoi se ekonomia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore, që lidhen me rritjen e shpejtë të turizmit dhe ndërtimit, ndryshime demografike të lidhura me plakjen e popullsisë, migrimin e saj, si dhe procesin e integrimit në BE. Ai shtoi se gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë është përballur me luhatje të konsiderueshme të çmimeve për shkak të fenomeneve natyrore, goditjeve ekonomike dhe zhvillimeve gjeopolitike.

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet politikës monetare, ka dëshmuar të jetë e zhdërvjellët ndaj këtyre ndryshimeve, duke siguruar që kushtet e financimit të mbeten të favorshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme, të reflektuar në rritjen e kreditimit me bazë të gjerë dhe likuiditetin e bollshëm në sistemin financiar. Guvernatori theksoi se krahas rregullimeve në normat e interesit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë politika të tjera, si ato makroprudenciale në bashkëveprim me ato me natyrë mikroprudenciale.

Reklamë InterMedika

Sejko përmendi gjithashtu dhe një sërë nismash të tjera të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, që kanë të bëjnë me rritjen e përfshirjes dhe kulturës financiare, ku ligji mbi shërbimet e pagesave dhe mbi llogarinë bazike, anëtarësimi ynë në SEPA; Strategjia për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori pasi falënderoi diskutantët, drejtuesit e sesioneve dhe stafin, u shpreh se hulumtimi kërkimor jep një kontribut të rëndësishëm për bankat qendrore, duke iu mundësuar atyre të shërbejnë si një shtyllë thelbësore e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar, rol të cilin Banka e Shqipërisë e luan me shumë përgjegjshmëri.