Katër sipërmarrës dhe profesionistë shqiptarë ishin të ftuar sot në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku ndanë përvojat e tyre në zhvillimin e bizneseve, investimet në vendlindje dhe promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në rubrikën “Gurët që po bëjnë Shqipërinë”, Betina Sharavolli, Florian Shytaj, Xhejms Kalaj dhe Dritan Shakohoxha prezantuan histori të sipërmarrjes në fusha të ndryshme, nga trashëgimia kulturore dhe bujqësia te shërbimet dhe tregu i pasurive të paluajtshme.
Betina Sharavolli, 28-vjeçarja nga Berati, e diplomuar në Akademinë e Arteve, ka krijuar studion “Anzotika”, ku realizon suvenire dhe bizhuteri artizanale të frymëzuara nga trashëgimia kulturore shqiptare, përfshirë simbole si Xhubleta dhe “Motra Tone”. Produktet e saj tregtohen në Shqipëri dhe në diasporë, ndërsa synimi është zgjerimi në tregjet ndërkombëtare dhe krijimi i një Akademie të Artit të Miniaturës.
Një tjetër histori rikthimi në vendlindje është ajo e Florian Shytajt, ish-boksierit që pas 20 vitesh qëndrimi në Itali vendosi të investojë në kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit në Orikum.
Përmes markave “Bregu i Lofatave” dhe “David”, Shytaj ka arritur të eksportojë produktet e tij drejt Zvicrës, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, ndërsa synon zgjerimin në tregjet aziatike, veçanërisht në Japoni, Singapor dhe Korenë e Jugut.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), përmes projekteve dhe kredive me garanci sovrane, të cilat kanë ndihmuar në mekanizimin e proceseve të punës dhe përballimin e mungesës së fuqisë punëtore.
Xhejms Kalaj, pas 28 vitesh qëndrimi në SHBA dhe Kanada, është rikthyer së bashku me familjen në Vukpalaj të Malësisë së Madhe. Ai ka ngritur sipërmarrjen “Jimmy Pro”, të cilën e menaxhon online, duke ofruar shërbime për pastrimin e ajrit, lyerjen dhe restaurimin e mobiljeve, me synimin për të zgjeruar aktivitetin edhe në tregjet e huaja.
Pjesë e diskutimit ishte edhe Dritan Shakohoxha, i cili pas një karriere të gjatë në gazetarinë sportive është angazhuar në sektorin e pasurive të paluajtshme. Aktualisht drejtues i kompanisë “Mikado Real Estate”, Shakohoxha foli për dinamikën e tregut imobiliar dhe mundësitë e investimit në Shqipëri, veçanërisht në zonat bregdetare.
Biseda u përqendrua te potenciali i sipërmarrjes shqiptare, rikthimi i profesionistëve nga diaspora dhe mundësitë për zhvillimin e produkteve e shërbimeve konkurruese në tregjet ndërkombëtare.


