Zvicra voton për lehtësimin e eksportit të armëve dhe kufizimin e fishekzjarrëve

29 Nov 2026 • 14:02
Shpërndaje:

Qytetarët zviceranë u drejtohen sot qendrave të votimit për të vendosur në referendum mbi ndryshimin e rregullave të eksportit të armëve dhe ndalimin e shitjes dhe përdorimit privat të fishekzjarrëve të zhurmshëm.

Propozimi i parë synon lehtësimin e kufizimeve për eksportin e pajisjeve ushtarake. Aktualisht, legjislacioni zviceran ndalon eksportin e armëve drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë lejimin e eksporteve drejt vendeve partnere të përfshira në konflikte, me kusht që ato të jenë në përputhje me neutralitetin e Zvicrës dhe interesat e saj të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Reklamë Ola

Gjithashtu, qeverisë federale do t’i jepet mundësia të bëjë përjashtime nga kriteret e autorizimit në rrethana të jashtëzakonshme, kur kjo konsiderohet e nevojshme për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Megjithatë, eksportet do të mbeten subjekt i legjislacionit për neutralitetin, respektimit të të drejtave të njeriut dhe detyrimeve ndërkombëtare të Zvicrës.

Reklamë InterMedika

Çështja tjetër që u nënshtrohet votimit lidhet me ndalimin e fishekzjarrëve të zhurmshëm për përdorim privat. Nisma synon reduktimin e ndotjes akustike dhe atmosferike, parandalimin e aksidenteve dhe zjarreve, si dhe mbrojtjen e njerëzve dhe kafshëve.

Nëse propozimi miratohet, ndalimi duhet të zbatohet brenda dy viteve, ndërsa shfaqjet profesionale të fishekzjarrëve do të përjashtohen nga kufizimet.

Sipas sondazheve të publikuara përpara referendumit, nisma për kufizimin e fishekzjarrëve gëzon mbështetje të gjerë mes qytetarëve.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Irlandën dhe Holandën, ndërsa në Gjermani organizatat mjedisore kërkojnë vendosjen e një ndalimi në nivel kombëtar.