Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë për zbatimin e planit të Trump për Gazën

29 Nov 2026 • 14:45
Shpërndaje:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të mbledhë mbrëmjen e kësaj të diele kabinetin e sigurisë për të diskutuar hapat e mëtejshëm në zbatimin e planit me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump për Rripin e Gazës.

Sipas medias izraelite Ynet, kabineti pritet të miratojë vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, si dhe dërgimin e rreth 4 mijë palestinezëve në Egjipt për t’u trajnuar si pjesë e forcave të reja policore. Ky proces kërkon paraprakisht miratimin e shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Ministrat pritet të autorizojnë gjithashtu hyrjen në territorin palestinez të materialeve dhe pajisjeve të nevojshme për realizimin e projekteve humanitare dhe infrastrukturore.

Reklamë Ola

Sipas televizionit izraelit Channel 12, masat pasqyrojnë marrëveshjet e arritura gjatë një bisede telefonike ndërmjet Netanyahut dhe Jared Kushner, dhëndrit dhe të dërguarit të presidentit amerikan.

Ndër projektet e parashikuara është ndërtimi i banesave të përkohshme në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, me financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Reklamë InterMedika

Gjithashtu, parashikohet nisja e funksionimit të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një organ i përbërë nga teknokratë palestinezë, që synon të marrë përsipër administrimin e territorit në vend të Hamasit.

Mbledhja e kabinetit izraelit zhvillohet një ditë përpara fjalimit të pritshëm të të dërguarit të Këshillit të Paqes, Nikolay Mladenov, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas raportimeve, Mladenov ka paralajmëruar Netanyahun se Këshilli i Paqes mund të tërhiqet nga mandati për menaxhimin e rindërtimit të Gazës, nëse Izraeli nuk respekton angazhimet e ndërmarra në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025.