Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici, ka reaguar pas dëmtimit të godinës historike gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, duke publikuar pamje të xhamave të thyer dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Qirici theksoi se godina, e ndërtuar në vitin 1924, ka shërbyer si Parlamenti i parë shqiptar dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë. Prej viteve ’60, ajo funksionon si teatër kukullash për fëmijë.
Sipas saj, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara ndër vite nga tërmetet dhe faktorët natyrorë, godina nuk ishte dëmtuar më parë nga aktet e dhunës, madje as gjatë trazirave të vitit 1997.
Teatri iu rikthye fëmijëve në dhjetor të vitit 2024, pas restaurimit me financim të Bashkimit Evropian, në kuadër të programit EU4Culture, të zbatuar nga UNOPS.
Drejtoresha tregoi se gjatë protestës ajo dhe punonjësit e teatrit kishin mbetur të bllokuar brenda godinës, ndërsa disa prej tyre kishin shfaqur shenja asfiksimi.
“Bashkë me stafin kemi qenë brenda në teatër të ngujuar nga tymi, gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit. Disa prej nesh u asfiksuan, por nuk luajtëm nga teatri”, shkroi Qirici.
Ajo bëri të ditur se stafi do të angazhohet për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e shfaqjeve për fëmijët, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të respektojnë objektet e trashëgimisë kulturore.
“Ju lutem mos e prekni teatrin! Na takon neve si qytetarë shqiptarë ta mbrojmë dhe ta duam: shkatërrimi sjell shkatërrim! Zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje”, theksoi Qirici.
Në përfundim të reagimit, drejtoresha falënderoi edhe një prej protestuesve, i cili kishte bërë thirrje për të mos dëmtuar godinën, duke kujtuar rëndësinë e saj si Parlamenti i parë shqiptar.


