Kushner shkakton reagime në Kiev dhe Evropë pas deklaratave për Putinin

28 Nov 2026 • 18:58
Shpërndaje:

Deklaratat e Jared Kushner, të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për negociatat e paqes, kanë shkaktuar reagime të forta në Ukrainë dhe mes aleatëve të saj evropianë, pasi ai e cilësoi presidentin rus Vladimir Putin si një “mjeshtër të madh të politikës”, raporton POLITICO.

Në një intervistë për podcastin “MD Meets”, Kushner deklaroi se Putin kishte treguar përmbajtje duke mos përdorur armë bërthamore, ndërsa e përshkroi konfliktin në Ukrainë si një luftë të tërthortë, në të cilën Evropa financon dhe armatos Kievin kundër Rusisë.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, i cilësoi deklaratat si jashtëzakonisht të rrezikshme, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë dhe interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Reklamë Ola

Merezhko kërkoi zëvendësimin e Kushner dhe të të dërguarit tjetër amerikan, Steve Witkoff, në negociatat e paqes me Moskën, duke i akuzuar se e shohin Ukrainën nga këndvështrimi i presidentit rus.

Deputetja ukrainase Halyna Yanchenko kundërshtoi gjithashtu përshkrimin e konfliktit si një luftë të tërthortë ndërmjet Evropës dhe Rusisë, duke argumentuar se një interpretim i tillë mohon rolin e Ukrainës si shtet i pavarur.

Reklamë InterMedika

Deklaratat e Kushner shkaktuan kritika edhe në Evropë. Deputeti gjerman i CDU-së, Roderich Kiesewetter, akuzoi Uashingtonin se nuk po vepron si një ndërmjetës i paanshëm, por po ushtron presion të njëanshëm ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Parlamentin Evropian, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cilësoi interpretimin e Kushner si “propagandë të pastër të Kremlinit”, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tij si ndërmjetës neutral në negociatat e paqes.

Reagimet vijnë në një moment delikat për marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Uashingtonit, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijon të kërkojë furnizime shtesë me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. Negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi gjatë këtij muaji nuk kanë sjellë përparim të rëndësishëm.

Sipas POLITICO, Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me kritikat ndaj Kushner dhe administratës Trump.