Kurti nga Tirana: Kosova e ka fituar me meritë statusin e vendit kandidat në BE

27 Nov 2026 • 18:31
Shpërndaje:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme rrezikojnë të dëmtojnë besimin në perspektivën evropiane të vendit.

Gjatë Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, zhvilluar në Tiranë, Kurti theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend i rajonit që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, pavarësisht progresit ekonomik dhe demokratik.

Kreu i qeverisë së Kosovës i kërkoi Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i japë mandat Komisionit Evropian për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Reklamë Ola

“Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.

Ai nënvizoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe besimi i tyre në institucionet evropiane mbeten ndër më të lartat në rajon, duke e bërë edhe më urgjent avancimin e procesit të integrimit.

Reklamë InterMedika

Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike, Kurti evidentoi rritjen ekonomike prej 4,7% në gjysmën e parë të vitit, shtimin e investimeve private dhe uljen e papunësisë nga 26% në 11%.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa rikthimi i stabilitetit institucional pas zgjedhjeve të përsëritura ka mundësuar përshpejtimin e zbatimit të tyre.

Samiti i Tiranës, i gjashti në kuadër të Planit të Rritjes dhe i treti që zhvillohet në kryeqytetin shqiptar, mblodhi liderët e rajonit dhe komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, me fokus përshpejtimin e reformave dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së.