Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë përplasjen me deputeten Elisa Spiropali, gjatë një interviste në podcastin “Rishtazi”, me një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
I pyetur nëse qëndrimet publike të Spiropalit mund të ndikojnë në perceptimin e masave të ndërmarra nga qeveria pas protestave në Tiranë, Rama fillimisht deklaroi se nuk dëshiron të diskutojë çështje të politikës së brendshme shqiptare në mediat e vendeve të tjera.
Megjithatë, kryeministri komentoi pozicionin politik të Spiropalit, duke u shprehur se ajo nuk ka më detyrimin të ndjekë linjën e tij apo të Partisë Socialiste.
“Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se kundërshtitë politike nuk mund të cenojnë të vërtetën dhe faktet, ndërsa kritikën e konsideroi edhe si një mundësi për të identifikuar problemet.
“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet”, u shpreh Rama, duke i krahasuar kundërshtitë me erërat që forcojnë pemën.
Ndërkohë, Spiropali iu përgjigj deklaratave të kryeministrit gjatë një interviste televizive, duke theksuar se angazhimi i saj politik dhe mbështetja ndaj Ramës kanë qenë zgjedhje personale, të mbështetura në bindjet e saj.
“Liria nuk të jepet me dekret. Lirinë nuk e përcakton kryeministri i vendit dhe as kryetari. Unë, e lirë, e kam ndjekur Ramën, e kam ndjekur sepse e kam besuar. Kam mbajtur mbi fytyrën time baltë që nuk më takonte fare. Kam bërë betejat më të forta publike për PS-në në Kuvend, edhe me Berishën, në mungesë të kryeministrit”, deklaroi Spiropali.
Shkëmbimi i deklaratave vjen pas qëndrimeve kritike publike të Spiropalit dhe përjashtimit të saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke nxjerrë në pah përplasjen politike mes saj dhe kryeministrit.


