Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, deklaroi se zgjedhjet e ardhshme në vend do të zhvillohen në vitin 2028, duke lënë të hapur mundësinë e mbajtjes së tyre përpara afatit të parashikuar në muajin maj.
Sipas Yılmaz, aktualisht po diskutohet mundësia që procesi zgjedhor të zhvillohet një ose dy muaj më herët, ndërsa ende nuk është përcaktuar një datë përfundimtare.
“Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2028. Ka diskutime nëse ato mund të mbahen një ose dy muaj më parë”, u shpreh zëvendëspresidenti turk.
Yılmaz bëri të ditur gjithashtu se brenda koalicionit qeverisës është arritur një konsensus për rikandidimin e presidentit aktual, Recep Tayyip Erdoğan, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Tashmë ekziston një konsensus brenda aleancës që Erdoğan duhet të jetë përsëri kandidat”, theksoi ai.
Deklaratat e zëvendëspresidentit turk konfirmojnë mbështetjen politike të aleancës qeverisëse për një kandidaturë tjetër të Erdoğan, ndërsa data e zgjedhjeve dhe formalizimi i kandidaturës mbeten ende të papërcaktuara.


