Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan një takim konsultues me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë, për dy skemat e kreditimit të lehtësuar për blerjen e banesave, që parashikohet të zbatohen gjatë vitit 2027.
Diskutimet u përqendruan në përcaktimin e normave të interesit, kushtet e kreditimit, modalitetet e bashkëpunimit me bankat dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët përfitues.
Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë, me mbulim të plotë të interesit nga qeveria. Në kuadër të këtij programi parashikohet dhënia e deri në 2 mijë kredive. Ministrja Ibrahimaj propozoi përcaktimin e një norme të përbashkët interesi me bankat, në mënyrë që skema të zbatohet përmes të gjitha institucioneve bankare, pa qenë e nevojshme përzgjedhja e tyre nëpërmjet një procedure konkurrimi.
Skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro ose ekuivalentin në lekë. Përfituesit do të paguajnë një normë interesi prej 3%, ndërsa qeveria do të mbulojë diferencën ndërmjet kësaj norme dhe asaj që do të përcaktohet në marrëveshje me bankat.
Një nga propozimet kryesore të diskutuara gjatë takimit ishte heqja e detyrimit për parapagim për të dyja skemat. Ibrahimaj bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë ndryshimin e kuadrit rregullator për përjashtimin e këtyre dy produkteve nga ky detyrim.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe çështjes së kolateralit për banesat që ndodhen ende në proces ndërtimi dhe nuk janë regjistruar në kadastër. Për këtë qëllim, po punohet për ndryshime në legjislacionin për zhvillimin e territorit, që synojnë certifikimin dhe regjistrimin përkatës që në momentin e marrjes së lejes së ndërtimit.
Gjithashtu, po shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit me Bankën Shqiptare të Zhvillimit për ofrimin e një garancie financiare që do të mbulonte diferencën ndërmjet vlerësimit të banesës nga banka dhe çmimit të saj të shitjes.
Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha bankave në zbatimin e dy skemave, duke i ftuar ato të paraqesin propozime konkrete për kushtet e kreditimit dhe zgjidhjen e çështjeve teknike.
Dy skemat synojnë të lehtësojnë aksesin e qytetarëve në financimin për blerjen e banesave, ndërsa modalitetet përfundimtare të zbatimit mbeten objekt i konsultimeve ndërmjet institucioneve dhe sektorit bankar.


