Nufi: Shqipëria dhe Kosova duhet të forcojnë partneritetin për sigurinë kibernetike

26 Nov 2026 • 14:56
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së informacionit, infrastrukturës kritike dhe sistemeve digjitale, duke kërkuar një bashkëpunim më konkret ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për përballimin e kërcënimeve kibernetike.

Gjatë konferencës “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar në Shqipëri dhe Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar në Kosovë, Nufi theksoi se siguria e informacionit është pjesë e pandashme e sovranitetit kombëtar dhe e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

“Një sulm ndaj sistemeve të informacionit, një cenim i infrastrukturës kritike apo një rrjedhje e informacionit të klasifikuar mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionalitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Duke u ndalur te zhvillimi i inteligjencës artificiale, Nufi vlerësoi se teknologjitë e reja po ndryshojnë natyrën e kërcënimeve, duke krijuar mundësi për sulme më komplekse dhe manipulimin e informacionit, por njëkohësisht edhe instrumente për identifikimin e hershëm dhe parandalimin e tyre.

Sipas tij, investimet në sigurinë digjitale duhet të konsiderohen investime strategjike për stabilitetin e vendit dhe qëndrueshmërinë e institucioneve, ndërsa inovacioni teknologjik nuk duhet të cenojë besueshmërinë dhe kontrollin mbi informacionin.

Reklamë InterMedika

Ministri i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë, duke e cilësuar atë një domosdoshmëri strategjike përballë kërcënimeve të përbashkëta.

“Ne duhet të jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë në një nivel më konkret dhe më ambicioz!”, deklaroi Nufi.

Në këtë kuadër, ai propozoi hartimin e një agjende të përbashkët me objektiva të matshme, forcimin e konsultimeve ndërinstitucionale, zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta kibernetike, shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe krijimin e programeve akademike e profesionale.

Nufi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se asnjë shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e reja të sigurisë.

Ministri iu referua edhe incidentit me anijen ruse në Libi, duke e cilësuar përfshirjen e Shqipërisë në raportimet për këtë ngjarje si pjesë të një dezinformimi.

Në përfundim, Nufi bëri thirrje që lidhjet historike dhe partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të përkthehen në kapacitete dhe veprime konkrete, në funksion të sigurisë së të dy vendeve, stabilitetit rajonal dhe qëndrueshmërisë së hapësirës euroatlantike.