Macron paralajmëron tërheqjen nga negociatat për buxhetin e BE-së nëse nuk arrihet marrëveshje në dhjetor

26 Nov 2026 • 11:13
Shpërndaje:

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga negociatat për buxhetin shumëvjeçar të Bashkimit Evropian, nëse vendet anëtare nuk arrijnë një marrëveshje deri në fund të këtij viti.

“Për presidentin është e qartë se nuk është e mundur të vazhdojnë këto negociata përtej dhjetorit”, deklaroi të mërkurën një zyrtar i Pallatit Élysée, duke iu referuar samitit të Këshillit Evropian të 17 dhe 18 dhjetorit.

Sipas POLITICO, paralajmërimi shton presionin mbi presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, i cili drejton negociatat, si dhe mbi vendet e tjera anëtare, përpara samitit të jashtëzakonshëm që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Reklamë Ola

Macron, mandati i të cilit përfundon në pranverën e vitit 2027, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi për shkak të kufizimeve kushtetuese. Ai u ka bërë të ditur më herët liderëve evropianë se nuk do të jetë në gjendje të vijojë negociatat për buxhetin e periudhës 2028–2034 gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Marine Le Pen, kandidatja e së djathtës ekstreme që kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ka akuzuar institucionet evropiane dhe Macronin se po përshpejtojnë qëllimisht negociatat për ta përjashtuar atë nga procesi. Le Pen është zotuar se, nëse zgjidhet presidente, do të reduktojë ndjeshëm kontributin financiar të Francës në buxhetin e BE-së.

Reklamë InterMedika

Presidenca franceze ka kritikuar propozimin e fundit të Costa-s, i cili parashikon shkurtime shtesë prej 44 miliardë eurosh në buxhetin shtatëvjeçar, pavarësisht se disa prej prioriteteve të Francës, përfshirë subvencionet për fermerët, janë mbrojtur nga shkurtimet.

Gjatë një takimi me përfaqësuesit e organizatave kryesore bujqësore franceze, Macron garantoi se mbrojtja e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) do të jetë prioriteti kryesor i Francës në samitin e kësaj jave.

Parisi kërkon gjithashtu rritjen e burimeve të veta financiare të Bashkimit Evropian, përmes të ardhurave që mblidhen drejtpërdrejt në nivel evropian, për të financuar buxhetin e ardhshëm.

Franca mbështet propozimin për vendosjen e një takse të re ndaj sektorit digjital, por shpreh shqetësime për mundësinë e sigurimit të mbështetjes së të gjitha vendeve anëtare. Sipas presidencës franceze, propozimi aktual nuk ofron garanci të mjaftueshme për miratimin e shpejtë të taksave të reja evropiane, pasi ato do të kërkojnë një votim të veçantë pas përfundimit të negociatave buxhetore.

Autoritetet franceze nuk presin që samiti i kësaj jave të përfundojë me një marrëveshje, duke e bërë takimin e liderëve evropianë të 17 dhe 18 dhjetorit vendimtar për të ardhmen e negociatave.