Musk premton aksione të SpaceX për fëmijët në SHBA, nisma kap vlerën e 18 miliardë dollarëve

26 Nov 2026 • 11:09
Shpërndaje:

Miliarderi amerikan Elon Musk ka njoftuar një nismë për dhurimin e dy aksioneve të kompanisë SpaceX për fëmijët në Shtetet e Bashkuara, me një vlerë të përgjithshme të përllogaritur në rreth 18 miliardë dollarë, sipas Reuters.

Përmes një postimi në platformën X, Musk deklaroi se njëri prej aksioneve do të sigurohet nga kompania, ndërsa tjetrin do ta dhurojë nga zotërimet e tij personale.

“Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë dy aksione të SpaceX, një nga kompania dhe një nga unë personalisht”, shkroi Musk.

Reklamë Ola

Nisma lidhet me programin “Trump Accounts”, i cili synon t’u mundësojë amerikanëve nën moshën 18 vjeç të investojnë në tregjet financiare dhe të ndërtojnë kursime afatgjata që në moshë të hershme. SpaceX ka njoftuar se do të emetojë aksione të reja për fëmijët që kanë një llogari aktive në kuadër të këtij programi.

Bazuar në vlerën e raportuar prej 127,44 dollarësh për aksion, secili përfitues do të merrte aksione me vlerë 254,88 dollarë.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, ende nuk janë bërë publike detajet e plota mbi mekanizmin e shpërndarjes, kufizimet e mundshme për shitjen e aksioneve dhe mënyrën e administrimit të kontributit personal të Musk.

Përtej aspektit filantropik, iniciativa mund të krijojë një brez të ri aksionarësh të SpaceX. Christopher Brankin, konsulent i tregjeve ndërkombëtare pranë Mitrade Group, vlerësoi se programi mund të ndihmojë të rinjtë të njihen më herët me tregjet financiare dhe platformat e investimeve.

Musk kishte paralajmëruar edhe muajin e kaluar synimin për t’u dhuruar aksione të SpaceX fëmijëve amerikanë, duke e cilësuar këtë si nismën e parë në një seri donacionesh të ngjashme.