Ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, zhvilloi një takim me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.
Takimi bëri bashkë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe institucioneve shqiptare e amerikane, me synim identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik.
Sipas një njoftimi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ambasadori Wendt theksoi tri prioritete kryesore: krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës, forcimin e lidhjeve ndërmjet kompanive amerikane dhe shqiptare, si dhe investimin në brezin e ri të Shqipërisë.
“Rritja e biznesit amerikan dhe mundësitë për Shqipërinë ecin krah për krah”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane, të publikuar më 25 nëntor.
Takimi nënvizon rëndësinë që SHBA-ja i kushton zhvillimit të një mjedisi konkurrues për biznesin, zgjerimit të partneriteteve ekonomike dypalëshe dhe investimit në kapitalin njerëzor të Shqipërisë.


