Zonja Elisa Spiropali doli në konferencë shtypi nga ambientet e Kuvendit për të artikuluar tezat e saj mbi “hapjen e garës në PS pas 17 vitesh”, “demokracinë e brendshme” dhe për ta quajtur përjashtimin nga grupi parlamentar një “dekoratë”. E veshur me petkun e reformatores që po sakrifikohet për parime, ajo i drejtoi ultimatume kryeministrit dhe paralajmëroi se beteja e saj sapo ka nisur.
Por nëse i heqim retorikën e sotme të “dekoratës”, e vërteta del më e thjeshtë. Kjo kryengritje e vonuar parimore nisi vetëm në momentin kur zonja Spiropali u shkarkua si ministre për Punët e Jashtme. Pas shumë vitesh të mësuara në majat e pushtetit, ajo thjesht nuk po e kapërdin dot zbritjen nga karrigia.
Për të kuptuar se sa e rreme është kjo dramë “parimore”, mjafton ta vendosësh rrugëtimin e saj përballë atij të Taulant Ballës, njeriut që si kryetar i grupit, kërkoi votimin për përjashtimin e saj.
Ndoshta edhe fakti që është tifoz futbolli ka ndikuar në këtë qasje. Balla e njeh forcën e skuadrës, e di që nuk mund të jesh gjithmonë titullar dhe se trajneri nuk ka detyrimin të të mbajë në fushë vetëm sepse ke shënuar gola në ndeshjet e kaluara. Herë luan, herë ulesh në stol. Me rëndësi është që skuadra të fitojë.
Përkundër tij, zonja Spiropali pas vitit 2013 njohu vetëm ngjitje në poste të rëndësishme. Fillimisht si Drejtore e Përgjithshme e Doganave, ku nuk i munguan akuzat nga opozita si e përfshirë në korrupsion. Më pas tri herë deputete në listat e mbyllura, pa u testuar realisht në votë të hapur. Në total, dymbëdhjetë vjet deputete, gjashtë vjet ministre dhe rreth një vit në krye të Kuvendit, si numri dy i shtetit. Përgjatë gjithë kësaj kohe kur gëzonte ofiqet, modeli i qeverisjes dhe mungesa e garës në parti nuk i dukeshin aspak problematike.
Kur i vendos të dy rrugëtimet përballë, kontrasti bëhet i dukshëm. Një politikan si Balla, me më shumë se njëzet vjet në strukturat e PS-së, me peshë reale elektorale dhe vetëm dy vjet në poste ministrore, e pranon stolin pa e konsideruar fundin e botës. Ndërsa zonja Spiropali, pas gjashtë vitesh në qeveri dhe një viti në krye të Kuvendit, e ka të pamundur të zbresë një kat pa e shpallur veten viktimë dhe disidente.
Balla, si futbollist në shpirt, e di se nuk është e thënë të jesh gjithmonë në formacion, mjafton që skuadra të fitojë. Të tjerë si zonja Spiropali, duket se e kanë të pamundur ta ndajnë fanellën e partisë nga karrigia e ofiqarit. Dhe kur karrigia u ikën, e quajnë rënien “dekoratë”.
Megjithatë, duhet përshëndetur fakti që zonja Spiropali deklaron se dëshiron të qëndrojë në Partinë Socialiste. Por qëndrimi në PS nuk duhet të ketë si objektiv politik se si të mundësh një kryetar fitues zgjedhjesh. Nëse ka ambicie të ligjshme për drejtim, duhet të presë momentin kur ai të humbasë zgjedhjet dhe të largohet, ashtu siç edhe vetë e ka deklaruar.
Të qëndrosh në PS do të thotë që përtej mendimeve kritike, të cilat askush nuk ia ka mohuar t’i shprehë, luftën politike ta bësh me opozitën në terrenin elektoral. Tashmë jo më me statusin e të deleguarit politik, por si anëtare e thjeshtë që merr përsipër të korrë fitore në zonën ku banon. Përndryshe, nëse synimi i vërtetë është t’i vendosë shkopinj nën rrota objektivave elektorale të partisë ku thotë se bën pjesë, atëherë më mirë të dalë hapur në mejdanin politik. Të mos fshihet, ashtu siç u fsheh gjatë gjithë këtyre muajve kur u prodhua dhunë me shumicë për të rrëzuar qeverinë e po asaj partie ku zonja Spiropali pretendon se militon.


