Francë, ministri i Drejtësisë urdhëron hetim për praninë e një prokurori në selinë e partisë së Le Pen

25 Nov 2026 • 15:30
Shpërndaje:

Ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, ka urdhëruar një hetim të brendshëm për të përcaktuar arsyet e pranisë së një prokurori në selinë e partisë së Marine Le Pen, Tubimi Kombëtar (RN), gjatë një kontrolli policor të zhvilluar në fillim të këtij muaji.

Hetimi synon të sqarojë nëse zyrtarë të lartë shtetërorë i kanë përcjellë informacione konfidenciale partisë së djathtë radikale, raporton POLITICO.

Prokurori Christian de Rocquigny ndodhej në selinë e partisë kur policia mbërriti në kuadër të një hetimi mbi dyshimet se një zyrtar i Ministrisë së Brendshme kishte transmetuar informacione konfidenciale gjyqësore te Tubimi Kombëtar.

Reklamë Ola

Zyrtari në fjalë, Hugues Moutouh, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e përfaqësuesit të lartë të shtetit në rajonin Centre-Val de Loire dhe largohet zyrtarisht nga posti këtë të mërkurë.

Në momentin e kontrollit policor, De Rocquigny po zhvillonte një takim me Jean-Paul Garraud, ish-magjistrat dhe aktualisht eurodeputet i Tubimit Kombëtar. Në një prononcim për Franceinfo, Garraud deklaroi se biseda kishte qenë e natyrës profesionale, e përqendruar në luftën kundër trafikut të drogës, duke mohuar se ishin diskutuar hetimet ndaj partisë.

Reklamë InterMedika

Edhe De Rocquigny deklaroi javën e kaluar për agjencinë franceze të lajmeve AFP se prania e tij nuk kishte lidhje me çështjen nën hetim dhe se kishte shkuar për të pirë një kafe me një të njohur, i cili ushtron funksione në parti.

Darmanin kritikoi prokurorin për mosinformimin e eprorëve lidhur me praninë e tij gjatë kontrollit policor, si dhe për zhvillimin e takimit gjatë orarit të punës, pa marrë leje.

Ministri francez theksoi se përfaqësuesit e sistemit gjyqësor duhet të tregojnë kujdes të veçantë në kontaktet me aktorët politikë, sidomos përpara një viti të rëndësishëm zgjedhor.

Hetimi i brendshëm do të përcaktojë nëse gjatë takimit janë diskutuar informacione sensitive apo konfidenciale, si dhe nëse janë shkelur detyrimet profesionale të prokurorit.