Themeluesi dhe kryetari i Berlin Global Dialogue, Lars-Hendrik Röller, vlerësoi sot ecurinë ekonomike të Shqipërisë dhe potencialin e vendit për tërheqjen e investimeve, duke theksuar njëkohësisht nevojën për adresimin e sfidave që lidhen me klimën e biznesit dhe shtetin e së drejtës.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, Röller evidentoi rritjen ekonomike prej rreth 4%, uljen e borxhit publik dhe nivelin e deficitit buxhetor si tregues pozitivë të situatës makroekonomike të vendit.
“Situata makroekonomike në Shqipëri, me të gjitha problemet e saj, paraqitet mjaft mirë. Problemi është se sa i qëndrueshëm do të jetë ky pozicion”, deklaroi ai.
Röller nënvizoi se, pavarësisht progresit ekonomik, Shqipëria duhet të vijojë adresimin e sfidave që lidhen me përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ju jeni vend i vogël, por jeni rritur shpejt. Shqipëria ka shumë për të ofruar përtej të gjitha problemeve të saj, keni shumë mundësi investimi”, u shpreh Röller.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të konferencës dyditore të investimeve në Tiranë, e cila synon të promovojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar dhe forcimin e integrimit të rajonit në tregun evropian.


