Zelensky: Ukrainës i nevojiten të paktën 115 miliardë euro financim në vitin 2027

24 Nov 2026 • 20:26
Shpërndaje:

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendit të tij i nevojiten të paktën 115 miliardë euro financim gjatë vitit 2027 për të përballuar kostot e luftës me Rusinë dhe për të garantuar stabilitetin financiar.

Duke folur përmes një videolidhjeje në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Zelensky bëri të ditur se Kievi po bashkëpunon me partnerët evropianë për sigurimin e fondeve të nevojshme.

Sipas presidentit ukrainas, vendi pret të përfitojë 90 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm, përfshirë 45 miliardë euro në kuadër të një vendimi të mëparshëm të Bashkimit Evropian dhe 45 miliardë euro të tjera të miratuara së fundmi.

Reklamë Ola

“Komisioni Evropian tashmë ka paraqitur një mënyrë për sigurimin e këtij financimi dhe tani po punojmë që BE-ja ta mbështesë atë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Ukrainës i duhet të sigurojë edhe 25 miliardë euro.

Presidenti ukrainas theksoi se vendi ka arritur të ruajë stabilitetin financiar gjatë pothuajse pesë viteve të luftës, duke siguruar, sipas tij, të paktën 100 miliardë euro financim në vit.

Reklamë InterMedika

Zelensky kërkoi gjithashtu koordinim më të ngushtë ndërmjet qeverisë qendrore, autoriteteve rajonale dhe lokale, si dhe kompanive energjetike, për të përshpejtuar riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet ruse.

Ai bëri të ditur se Ukraina ka siguruar rezerva pajisjesh dhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa u kërkoi autoriteteve rajonale të raportojnë me saktësi mbi situatën në terren dhe nevojat e qytetarëve.

Në planin diplomatik, Zelensky njoftoi një takim me kryeministrin hungarez, Péter Magyar, në rajonin ukrainas të Zakarpattias. Sipas tij, kjo do të jetë vizita e parë e Magyar në Ukrainë në cilësinë e kryeministrit, ndërsa bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën evropiane të Kievit.

Presidenti ukrainas riafirmoi angazhimin për hapjen e kapitujve negociues në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Moldavinë, si dhe vazhdimin e dialogut konstruktiv me Sllovakinë, pavarësisht mosmarrëveshjeve ekzistuese.