Dorëhiqet presidenti i Paraguait, skandali bankar shkakton krizë politike

05 Nov 2026 • 22:22
Shpërndaje:

Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra këtë të enjte, më 5 nëntor, pas krizës së shkaktuar nga falimentimi i bankës Ueno, që ka lënë rreth tre milionë klientë pa akses në llogaritë e tyre bankare.

Vendimi vjen në një moment tensionesh të forta politike dhe protestash në vend, ndërsa presidenti po përballej me një procedurë shkarkimi në Kongres, e mbështetur edhe nga përfaqësues të partisë së tij.

Përmes një videomesazhi të publikuar në platformën X, Peña deklaroi se dorëheqja synon të garantojë stabilitetin institucional dhe të shmangë përshkallëzimin e krizës.

Reklamë Ola

“Kam marrë vendimin të paraqes dorëheqjen, duke pasur parasysh stabilitetin e vendit tonë, paqen sociale dhe nevojën për të ruajtur institucionet tona demokratike”, u shpreh ai.

Presidenti theksoi se përparësia e tij mbetet mbrojtja e kursimeve të qytetarëve dhe garantimi i kthimit të fondeve të bllokuara pas ndërhyrjes së autoriteteve financiare.

Reklamë InterMedika

“Dëshira ime më e madhe është të garantohet kthimi i këtyre fondeve, që Fondi i Garancisë së Depozitave të përmbushë misionin e tij dhe që fondet publike, si dhe burimet që u përkasin të gjithë paraguajanëve, të mbrohen”, deklaroi Peña.

Kriza nisi pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore të Paraguait në aktivitetin e bankës Ueno, pasi autoritetet mbikëqyrëse konstatuan shkelje të rënda të kërkesave minimale të aftësisë paguese.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet dhe mediave ndërkombëtare, banka kishte rreth 2.9 milionë klientë, një numër i konsiderueshëm për një vend me rreth 6.1 milionë banorë.

Ndërhyrja e Bankës Qendrore solli bllokimin e aksesit në llogaritë bankare dhe shkaktoi shqetësim të gjerë për sigurinë e depozitave, përfshirë fondet e institucioneve publike.

Skandali mori përmasa politike për shkak të lidhjeve të mëparshme financiare të presidentit me grupin e biznesit të lidhur me bankën. Peña ka deklaruar se e kishte shitur pjesëmarrjen e tij në këtë grup në vitin 2025 dhe ka mohuar përfshirjen në veprime të paligjshme.

Ndërkohë, opozita kërkoi nisjen e procedurës së shkarkimit të presidentit, duke ngritur akuza për konflikt interesi dhe përgjegjësi politike në menaxhimin e krizës.

Presioni ndaj kreut të shtetit u shtua pasi edhe përfaqësues të Partisë Colorado, forcës politike së cilës ai i përket, shprehën mbështetje për procedurën e shkarkimit.

Pas njoftimit të dorëheqjes, Dhoma e Deputetëve votoi për vijimin e procedurës së fajësimit ndaj Peñës, duke ia kaluar çështjen Senatit.

Dorëheqja duhet të trajtohet nga institucionet kompetente, ndërsa zëvendëspresidenti Pedro Alliana pritet të marrë drejtimin e vendit në përputhje me procedurat kushtetuese.

Autoritetet financiare kanë nisur ndërkohë procedurat për mbrojtjen e depozituesve dhe kthimin e fondeve të garantuara, ndërsa hetimet mbi veprimtarinë e bankës dhe përgjegjësitë e mundshme vijojnë.