BE disburson 4.36 miliardë euro për Ukrainën, fonde për buxhetin dhe mbrojtjen

05 Nov 2026 • 17:12
Shpërndaje:

Komisioni Evropian ka disbursuar këtë të enjte 4.36 miliardë euro për Ukrainën, në kuadër të paketës së mbështetjes financiare prej 90 miliardë eurosh, që synon përballimin e nevojave buxhetore dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, nga fondet e disbursuara, 3.7 miliardë euro janë destinuar për mbështetje makrofinanciare, ndërsa 658 milionë euro për sektorin e mbrojtjes.

Financimi i dedikuar mbrojtjes do të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve ushtarake, përfshirë dronë, raketa, radarë, sisteme të luftës elektronike dhe municione për mbrojtjen ajrore.

Reklamë Ola

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka riafirmuar angazhimin e Bashkimit Evropian për të vijuar mbështetjen ndaj Kievit, në një kohë kur Ukraina po përgatitet të përballojë dimrin e pestë që nga nisja e pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Disbursimi i fundit përfaqëson këstin e dytë nga tri pagesat e planifikuara gjatë vitit 2026 në kuadër të programit të ndihmës makrofinanciare, vlera e të cilit arrin në 8.35 miliardë euro.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian, shuma e disbursuar deri më tani për komponentin e mbrojtjes ka arritur në 16.4 miliardë euro.

Mbështetja financiare e Bashkimit Evropian synon të ndihmojë Ukrainën në ruajtjen e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe në përballimin e nevojave ushtarake, ndërsa lufta me Rusinë vijon.