Marta Kos: Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në 2028

04 Nov 2026 • 17:31
Shpërndaje:

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në Parlamentin Europian se Mali i Zi ka një mundësi të qartë për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian në vitin 2028. Gjatë prezantimit të raportit të zgjerimit për vitin 2026, ajo paraqiti udhërrëfyesit për vendet që po përparojnë më shpejt dhe njoftoi nisjen e dialogëve për integrimin gradual në tremujorin e parë të vitit 2027.

Kos e cilësoi Malin e Zi vendin më të avancuar në procesin e anëtarësimit, duke theksuar se ai ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave. Sipas saj, janë mbyllur 21 kapituj dhe mbeten edhe 14 të tjerë, të cilët mund të përmbyllen deri në fund të këtij viti.

Komisionerja tha se puna për Traktatin e Anëtarësimit ka nisur tashmë dhe se, sipas udhërrëfyesit, nënshkrimi mund të bëhet më së hershmi më 28 qershor 2027.

Reklamë Ola

“Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian në vitin 2028”, u shpreh ajo.

Kos theksoi se, për herë të parë që nga përfundimi i negociatave me Kroacinë në vitin 2011, BE-ja ka mundësinë të përmbyllë me sukses negociatat me një tjetër vend kandidat. Sipas saj, përvoja malazeze dëshmon se procesi mund të sjellë transformime të rëndësishme kur shoqërohet me vullnet politik dhe angazhim ndaj vlerave europiane.

Reklamë InterMedika

Për Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, komisionerja tha se udhërrëfyesit paraqesin perspektivën dhe hapat për vitin e ardhshëm. Ajo nënvizoi se përparimi i këtyre vendeve, së bashku me Malin e Zi, tregon rëndësinë e zgjedhjeve politike në ecurinë drejt anëtarësimit.

“Çdo vend kandidat mund t’i bashkohet grupit të vendeve që po përparojnë me shpejtësi. Ne i inkurajojmë të gjitha vendet kandidate që të bëjnë këtë zgjedhje”, deklaroi Kos.

Një nga risitë e paketës është modeli i integrimit gradual, përmes të cilit vendet kandidate synohet të përfitojnë më shumë nga politikat dhe mekanizmat europianë përpara anëtarësimit të plotë. Sipas komisioneres, kjo qasje do të jetë më koherente, strategjike dhe e parashikueshme, duke plotësuar dhe forcuar procesin e anëtarësimit.

Në tremujorin e parë të vitit 2027, Komisioni do të nisë dialogët për integrimin gradual me partnerët e zgjerimit. Diskutimet do të shërbejnë për të vlerësuar masat ekzistuese dhe për të identifikuar mundësi të tjera për përfshirjen e tyre në bashkëpunimin europian.

Kos i kushtoi vëmendje edhe lidhjes mes zgjerimit dhe sigurisë, duke theksuar se dezinformimi, sulmet kibernetike dhe krimi i organizuar prekin si vendet kandidate, ashtu edhe shtetet anëtare.

Sipas saj, integrimi më i afërt në strukturat e sigurisë së BE-së mund të përmirësojë shkëmbimin e informacionit, koordinimin e veprimeve, menaxhimin e migracionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai do të forconte gjithashtu aftësinë e Europës për t’u përballur me presionet e jashtme.

Komisionerja veçoi qëndrueshmërinë e Ukrainës përballë agresionit rus, duke thënë se përvoja e saj dhe bashkëpunimi me BE-në kontribuojnë në sigurinë dhe gatishmërinë mbrojtëse të kontinentit.

Duke u ndalur te Kosova, Kos vlerësoi përkushtimin ndaj rrugës europiane dhe mbështetjen e lartë publike për këtë proces. Megjithatë, ajo evidentoi se ngërçi institucional ka ndikuar në zbatimin e reformave gjatë periudhës së raportimit.

Sipas saj, Kosova së fundmi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave, ndërsa rikthimi i stabilitetit institucional mund të krijojë mundësi për përparim të mëtejshëm.

“BE-ja mirëpriti zgjedhjen e presidentit të ri dhe shpresojmë që rivendosja e stabilitetit institucional t’i mundësojë Kosovës të përparojë”, u shpreh komisionerja.

Paketa e zgjerimit pason rishikimet e politikave të para-anëtarësimit, të publikuara nga Komisioni një muaj më parë. Kos tha se këto vlerësime tregojnë se zgjerimi është i mundur, por kërkon trajtimin e sfidave si në vendet kandidate, ashtu edhe brenda vetë Bashkimit Europian.