Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Berlin se zgjerimi i Bashkimit Europian përbën një investim strategjik në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe fuqinë gjeopolitike të Europës.
Gjatë vizitës në kryeqytetin gjerman, Hoxha mori pjesë në panelin “Europa në zgjerim: Argumenti për Zgjerimin”, së bashku me ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Gjermanisë, Günther Krichbaum, dhe kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj.
Në një postim mbi diskutimin, ministri nënvizoi konsensusin e gjerë kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke theksuar se ky angazhim duhet të përkthehet në reforma të zbatuara dhe rezultate konkrete.
“Për ne, integrimi europian nuk ka të bëjë me të dukurit gati. Ka të bëjë me të qenit gati. Me reforma, zbatim dhe me marrjen e vendimeve të nevojshme për t’u bërë një anëtar plotësisht funksional i familjes europiane”, u shpreh Hoxha.
Ministri veçoi besueshmërinë, drejtësinë dhe progresin e prekshëm si tri parime thelbësore për suksesin e zgjerimit. Sipas tij, procesi duhet të mbështetet në një udhërrëfyes të qartë dhe objektiva të matshëm, ndërsa përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate duhet të shoqërohet me hapa përkatës nga Bashkimi Europian.
“Merita duhet të funksionojë në të dyja drejtimet: kur vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, Europa duhet të përgjigjet”, theksoi ai.
Hoxha u ndal edhe te integrimi gradual përpara anëtarësimit formal. Ai vlerësoi se kjo qasje u mundëson qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të njohin përfitimet dhe përgjegjësitë e integrimit, paralelisht me vijimin e reformave.
Duke iu referuar Berlinit si simbol i kapërcimit të ndarjeve dhe i ribashkimit europian, ministri bëri thirrje për vendime të guximshme përballë kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja, dezinformimit dhe konkurrencës gjeopolitike.
“Zgjerimi mund të rezultojë një nga investimet më efikase që Europa mund të bëjë për sigurinë e saj”, përfundoi Hoxha.


