Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin parlamentar, iu përgjigj deputetit të opozitës Kapri, duke sqaruar se politika e rritjes së pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit ishte një nga prioritetet e para të ndërmarra që në ditët e para të marrjes së detyrës dhe ishte bërë publike përpara nisjes së protestave.
Ministri theksoi se rritja e pagave nuk duhet parë e shkëputur nga objektivi për të garantuar dinjitetin e punonjësve të Policisë, por edhe për të kërkuar më shumë profesionalizëm në ushtrimin e detyrës.
“Jam i bindur që kjo politikë pagash është e domosdoshme për të garantuar, në të njëjtën kohë, trajtimin me dinjitet të punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe për të kërkuar më shumë profesionalizëm për sa i përket ushtrimit të detyrës”, deklaroi Demo.
Duke iu referuar situatës së krijuar gjatë protestave, ministri nënvizoi se e drejta kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore duhet garantuar nga Policia e Shtetit, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës private.
“Policia e Shtetit është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar të drejtën kushtetuese të kujtdo që do të protestojë paqësisht. Por është e padrejtë që ne, në kuadër të kësaj të drejte, të mbrojmë edhe dhunën, që është, me doza të tejskajshme, që mund të japin dëmtime të rënda, siç kanë dhënë tek punonjësit e Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri.
Demo garantoi gjithashtu se standardi i institucioneve është i qartë: hetim dhe përgjegjësi për çdo rast të shkeljes së ligjit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për veprime të punonjësve të Policisë apo për akte dhune ndaj tyre dhe institucioneve publike.
Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se aktualisht janë 9 punonjës policie të pezulluar, për raste specifike dhe veprime individuale, ndërsa rreth 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Po ashtu, AMP dhe Policia e Shtetit po bashkëpunojnë me Prokurorinë për rastet e referuara pranë saj.
“Ne jemi të hapur kundrejt çdo hetimi dhe, në të njëjtën kohë, jemi po aq të vendosur që t’i shkojmë në fund të gjitha rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo institucioneve. Ky është standardi. Ky është një standard ligjor që, në fakt, në këtë sallë ne duhet ta mbështesim të gjithë”, theksoi Demo.
Në përfundim, ministri nënvizoi se projektbuxheti i vitit 2027 synon të rrisë mbështetjen për Policinë e Shtetit, jo vetëm përmes përmirësimit të trajtimit financiar të punonjësve, por edhe nëpërmjet investimeve në logjistikë dhe mjete të nevojshme për përmbushjen e detyrave.
“Mbështetja më e madhe për Policinë e Shtetit, qoftë me pagat, por edhe me të gjithë logjistikën e nevojshme për të ushtruar funksionet e saj dhe për të garantuar nivele më të larta të profesionalizmit”, ishte mesazhi përmbyllës i ministrit Demo.


