Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi që Europa të përfshihet në çdo marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump po rinovon përpjekjet për negociata me Moskën.
Gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të martën në Berlin, Merz theksoi se çështje si sanksionet dhe arkitektura e sigurisë nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen e vendeve europiane.
“Europa duhet dhe dëshiron të luajë një rol në këtë proces. Elementet kryesore të një zgjidhjeje paqësore, qoftë për sanksionet apo për arkitekturën e sigurisë, mund të zgjidhen vetëm me ne europianët”, deklaroi ai.
Takimi u zhvillua përpara rifillimit të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi javën e ardhshme, me ndërmjetësimin amerikan. Ai i paraprin edhe takimit që Komisioni Europian do të organizojë me përfaqësues amerikanë, ukrainas dhe aleatë europianë për rindërtimin dhe të ardhmen ekonomike të Ukrainës.
Zelensky: SHBA-ja dhe Rusia nuk vendosin për anëtarësimin tonë në BE
Presidenti ukrainas kundërshtoi mundësinë që një marrëveshje paqeje të pengojë anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Europian dhe përfitimin nga infrastruktura europiane e sigurisë.
“SHBA-ja dhe Rusia, me gjithë respektin për SHBA-në, nuk mund të vendosin nëse Ukraina do të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian”, tha Zelensky.
Ai theksoi se për këtë proces nevojitet mbështetja e vendeve europiane.
Kritika për pjesëmarrjen e mundshme të Putinit në G20
Merz kundërshtoi zhvillimin e diskutimeve për Ukrainën pa praninë e përfaqësuesve të saj, duke iu referuar mundësisë që Putin të marrë pjesë në samitin e G20-s në Miami në dhjetor.
“Nëse presidenti Trump vendos të ftojë presidentin rus, atëherë Ukraina duhet të jetë tema e parë e diskutimit. Dhe nëse diskutohet Ukraina, presidenti i Ukrainës duhet të jetë në tryezë”, deklaroi kancelari.
Sipas tij, është “krejtësisht e papranueshme” që vende të treta të diskutojnë fatin e Ukrainës pa përfshirë vetë atë.
Takim më 19 nëntor për ndihmën ushtarake dhe garancitë
Merz njoftoi se Gjermania ka ftuar udhëheqës europianë dhe partnerë ndërkombëtarë në Berlin më 19 nëntor, për një takim të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”.
Synimi është dakordësimi për mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe riafirmimi i gatishmërisë për t’i ofruar Ukrainës garanci sigurie në rast armëpushimi.
Kancelari tha se qeveria gjermane po përgatit ndihma shtesë për dimrin dhe u kërkoi aleatëve të rrisin kontributet.
“Të gjithë europianët ndajnë përgjegjësinë, jo vetëm gjermanët”, u shpreh ai.
Zelensky bëri të ditur se bisedimet përfshinë mungesën e raketave interceptuese për mbrojtjen ajrore dhe një paketë të re mbështetjeje për flotën ukrainase të avionëve amerikanë F-16.
“Roli i Europës duhet të bëhet më i madh”
Më vonë, në Konferencën e Sigurisë në Berlin, Zelensky kërkoi forcimin e mbrojtjes europiane, duke paralajmëruar se politika amerikane po përqendrohet gjithnjë e më shumë te çështjet e brendshme.
“Roli i SHBA-së në botë mund të bëhet edhe më i vogël, ndaj roli i Europës duhet të bëhet edhe më i madh. Dhe pa Gjermaninë, kjo është e pamundur”, deklaroi ai.
Presidenti ukrainas paralajmëroi gjithashtu se infrastruktura ushtarake që Rusia ka ndërtuar vitet e fundit përbën kërcënim edhe për vendet e tjera europiane.
“A është e gjitha kjo vetëm për Ukrainën? Është tepër për vetëm një vend. Është drejtuar ndaj jush”, tha Zelensky.


