Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar Groenlandën si “dhuratën më të madhe” që Shtetet e Bashkuara kanë marrë nga Europa, duke iu referuar ishullit gjatë një interviste për Fox News.
“Europa ishte e mirë. Ata thjesht u dhanë Shteteve të Bashkuara dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini çfarë ishte? Groenlanda”, deklaroi Trump.
Fragmenti i intervistës u shpërnda edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit në llogarinë e tij zyrtare në platformën X.
Deklarata vjen pas marrëveshjes së nënshkruar në shtator mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës, e cila synon të ulë tensionet e shkaktuara nga kërkesat e përsëritura të Trumpit për kontrollin e ishullit.
Marrëveshja zgjeron praninë amerikane, ruan sovranitetin danez
Pakti parashikon zgjerimin e rolit ushtarak amerikan në Groenlandë, përfshirë hapjen e dy bazave të reja dhe vendosjen e sistemit të mbrojtjes kundër raketave “Kupola e Artë”, të promovuar nga Trump.
Megjithatë, marrëveshja riafirmon sovranitetin danez mbi ishullin dhe të drejtën e banorëve të Groenlandës për vendimmarrje. Ajo nuk parashikon kalimin e territorit nën sovranitetin amerikan.
Groenlanda është një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe ka pasuri të konsiderueshme minerale.
Shqyrtimi në Parlamentin danez
Projektligji për marrëveshjen pritet të kalojë në leximin e parë në Parlamentin danez më 11 nëntor, ndërsa leximi i dytë dhe votimi janë parashikuar për më 19 nëntor.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga Danimarka dhe Groenlanda. Nga pala amerikane, ajo trajtohet si marrëveshje ekzekutive dhe nuk kërkon miratimin e Senatit.


