Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi është i gatshëm të pezullojë për një muaj sulmet ndaj rafinerive ruse, nëse Shtetet e Bashkuara i sigurojnë raketat interceptuese Patriot të nevojshme për mbrojtjen gjatë së njëjtës periudhë.
Në një intervistë për televizionin amerikan “Fox News”, Zelensky tha se ka diskutuar disa herë me presidentin Donald Trump dhe përfaqësues të administratës së tij për ndalimin e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Sipas tij, Ukraina nuk mund të heqë dorë nga kundërpërgjigjja ndërsa Rusia vijon të sulmojë objektet e saj energjetike dhe të shkaktojë viktima civile.
“Ne u kemi thënë se nëse dëshironi që të mos godasim rafineritë ruse, atëherë Rusia nuk duhet të sulmojë sistemin tonë energjetik. Përndryshe, na furnizoni me raketa Patriot”, deklaroi ai.
Zelensky e paraqiti furnizimin me raketa si një mundësi që do t’i lejonte Ukrainës të mbrohej nga sulmet ruse, duke pezulluar përkohësisht goditjet ndaj rafinerive.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Moska dhe Kievi të ndalin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëri-tjetrit, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë po shton presionet ekonomike dhe inflacioniste.
Shitja e 500 raketave është miratuar, por dorëzimi shqetëson Kievin
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar miratimin e shitjes së 500 raketave Patriot për Ukrainën. Megjithatë, Zelensky ka paralajmëruar se dorëzimi mund të kërkojë disa vite, një afat që, sipas tij, nuk u përgjigjet nevojave urgjente të vendit.
Rezervat ukrainase të raketave interceptuese po pakësohen, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës energjetike shtojnë nevojën për mbrojtje ajrore.
Për të mbuluar këtë boshllëk, javën e kaluar Zelensky u kërkoi aleatëve amerikanë dhe europianë të dërgojnë raketa nga rezervat e tyre aktuale. Propozimi i tij parashikon që këto rezerva të plotësohen më vonë përmes furnizimeve nga blerjet e miratuara nga Shtetet e Bashkuara.


